Nuk ka ndryshim të masave të marra kundër COVID-19 në Shqipëri, por zbatimi i tyre duhet të ndryshojë.
Është kjo deklarata e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, në një dalje të Komitetit Teknik të Ekspertëve mbi situatën epidemiologjike të COVID-19 në Shqipëri.
Sipas Rakacollit, nuk qëndron te masat problemi, por te zbatimi i tyre. Prandaj, thirrje është bërë për të shtuar kujdesin dhe për të parandaluar shtimin e rasteve, duke zbatuar masat e caktuara nga ekspertët.
Mbi rastet e reja, shumica prej tyre janë persona, të cilët nuk janë vaksinuar. Konkretisht, 95% e rasteve të reja nuk kanë marrë asnjë dozë vaksinash. Ky numër është 32 herë më i lartë se personat e vaksinuar plotësisht.
Krahasimisht me personat e vaksinuar vetëm me një dozë, numri i rasteve të reja i të pavaksinuarve është 12 herë më i lartë.
Mesatarja e rasteve javore është shtuar po ashtu. Nga 291 raste mesatare një javë më parë, ka shkuar në 482 raste mesatare javore.
Kjo ka rritur edhe incidencën nga 38 raste për 100 mijë banorë në mbi 200 raste për 100 mijë banorë.
Varianti Delta është shkaktari kryesor i kësaj rritjeje. Kjo, pasi ai është shumë më lehtësisht i përhapshëm dhe infektues.
Rritje është parë edhe në shtrimin e pacientëve në spitale në javët e fundit. Gjithsesi, shifrat janë sërish më optimiste se e njëjta periudhë gjatë vitit të shkuar. Kapacitetet e spitalit COVID 1 janë të mjaftueshme momentalisht në përballimin e situatës së të shtruarve.
Pavijonet e spitalit infektiv po punojnë me kapacitet të plotë për të përballuar rastet e shtrimeve, përfshi ato në terapi intensive.
Masat nuk ndryshojnë
Në fuqi, në Shqipëri, do të mbesin po të njëjtat masa që kanë qenë prej 1 korrikut 2021.
Kryesorja është ajo e orës policore, e cila mbetet nga ora 00:00 deri në 06:00.
Kampionatet sportive me praninë e tifozëve do të lejohen në masën 30%. Kjo, duke zbatuar gjithnjë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik.
Po ashtu lejohen aktivitetet e teatrove dhe shfaqjeve artistike kulturore. Kapaciteti për to do të jetë i lejuar gjithashtu në masën 30%, duke zbatuar protokollet e ISHP-së.
Muzika sërish do të ndalet në orën 22:00. Kjo, pasi në rast të kundërt, ekziston rreziku i krijimit të vatrave të infektimeve me COVID, duke qenë se favorizohen grumbullimet e mëdha të të rinjve.
Maskat vijojnë të jenë detyrim në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ato ambiente ku është i pamundur respektimi i distancave të rekomanduara.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Bashkëpunimi Shqipëri-Britani në drejtësi po njeh zhvillime pozitive, thotë Manja pas takimit me King-Smith
-
Pas kalimit të rezolutës antikorrupsion, PS voton të enjten edhe Komisionin e Posaçëm
-
Meloni mbron sërish Ramën: Është sulmuar padrejtësisht, projekti në Shqipëri po përparon
-
Begaj pret drejtoren e Korpusit të Paqes, vlerësohet angazhimi vullnetar amerikan në Shqipëri