Lajme

6 mijë shqiptarë nuk mundën të votojnë në zgjedhjet e Serbisë – Presidentja Osmani i drejtohet komunitetit ndërkombëtar


Zgjedhjet serbe

Rreth 6 mijë shqiptarëve në Serbi u është mohuar e drejta e votës në zgjedhjet e përgjithshme serbe, përçka edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë këtë akt të shtetit autoritar të Serbisë.

Presidentja Osmani tha se një veprim i tillë i Serbisë është rezultat i fushatës së qëllimshme të Serbisë për spastrim etnik të shqiptarëve përmes metodave të tyre të vazhdueshme administrative.

“Sipas raportimeve, 6.000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, shkroi presidentja në Twitter.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, tha Vjosa Osmani.

Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar në Twitter të Teuta Fazliut e cila bëri të ditur se emri i saj është fshirë nga lista e votimeve në Bujanoc në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë.

Cramon i kërkoi këshilltares për Punë të Jashtme në PE, Gesa Storz, që të sigurohet që këto raste të jenë mjaftueshëm të dokumentuara në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues dhe në dekalaratën e Parlamentit Evropian.

“Sot nuk munda të votoj, sepse vendi im më fshiu nga lista e votuesve sepse jam shqiptare. Bujanoci është qyteti im, aty kam lindur e jam rritur”, shkroi Fazliu.

“Gresa Storz, ju lus që të siguroheni që këto raste të jenë mjaftueshëm të evidentuara në raportin preliminar të Misionit Vëzhgues dhe në deklaratën e Parlamentit Evropian!”, shkroi Viola von Cramon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore