Lajme

5 organizata ndërkombëtare letër Kurtit për emërimin e aktivistit drejtor të RTK-së


Rilind Gervalla me bashkepartiake gjate fushates zgjedhor ne nje nga selite e Levizjes Vetevendosjee

Pesë organizata ndërkombëtare i kanë dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për emërimin e aktivistit në pozitën e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla.

Lajmin e ka bërë të ditur juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.

“Pesë organizatat më të mëdha ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Europë i janë drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për të shprehur shqetësimin e tyre të thellë për emërimin e aktivistit politik të VV-së Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të televizionit në RTK”.

Organizatat ndërkombëtare konsiderojnë se për aq kohë sa Gërvalla të jetë drejtor i televizionit, “depolitizimi dhe reforma e nisur nga vetë VV-ja do të jetë e pamundur”.

Gjithashtu, në letër janë theksuar edhe lëvdatat që të njëjtat organizata ia kanë bërë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në nivel të Këshillit të Europës për progresin e arritur në depolitizimin dhe reformimin e RTK-së deri në momentin e emërimit të drejtorit të televizionit.

Më 1 shkurt edhe Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës, drejtor për kanalet shqip në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ nga kjo qendër ishte thënë se kështu “shkatërrohen përpjekjet e Bordit për depolitizim të transmetuesit publik”.

“Shprehim keqardhje për vendimin e bordit të RTK-së për zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është një aktivist i partisë në pushtet. Emërimi i tij shkatërron përpjekjet e Bordit, i cili kishte mbështetjen tonë të plotë, për të depolitizuar transmetuesin publik”, thuhej në reagimin e kësaj organizate në Twitter.

Më 31 janar, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka zgjedhur aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4).

Gërvalla as vetë nuk e fsheh se është pjesë e Vetëvendosjes dhe fotografitë e shumta e dëshmojnë këtë, por kryetari i Bordit që zgjodhi Gërvallën, Besnik Boletini, ka deklaruar për Albanian Post se ai nuk e ka ditur.

Depolitizimi apo ndryshe siç shprehej Lëvizja Vetëvendosje “ç’kapja” e shtetit ishte njëra nga kauzat që VV-ja do ta proklamonte gjatë qëndrimit të saj në opozitë. Me ardhjen në pushtet, ky fenomen vazhdon të jetë mjaft i përhapur dhe i aplikuar edhe nga kundërshtuesit e dikurshëm si opozitë.

Vetë Gërvalla, si drejtor i ri i RTK-së, deklaroi se përzgjedhja në këtë pozitë nënkupton realizimin e një ëndrre të kamotshme.

Drejtori i RTK-së aktivist i Vetëvendosjes – kryetari i Bordit që e zgjodhi thotë që “nuk më bën përshtypje”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore