Lajme

A e sulmon Serbia, Kosovën? – Ulutas: KFOR-i i përkushtuar të parandalojë çdo rrezik të përshkallëzimit


Ozkan Ulutas

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka potencuar se misioni ushtarak përpos që ka burime të mira, është i përkushtuar të parandalojë çdo rrezik të përshkallëzimit.

Një deklaratë të tillë Ulutas e bëri në pyetjen se a ekziston vërtetë rreziku që Serbia të sulmojë ushtarakisht Kosovën, siç kanë artikuluar liderët institucional në Prishtinë.

“Ne vazhdimisht monitorojmë të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i ka burime të mira dhe është krijuar për t’u përballur me të gjitha sfidat që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Në pyetjen se në të ardhmen e planifikohet të rritet numri i pjesëtarëve të KFOR-it, Ulutas ka potencuar se aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet e KFOR për sigurimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i vendosur mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij si reaguesi i tretë i sigurisë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore