Bota

5 gjërat që duhet të dini për kreun e ri të CDU-së, Armin Laschet


Armin Laschet është zgjedhur si kreu i ri i Unionit Kristian Demokrat (CDU), duke pasuar kancelaren gjermane Angela Merkel në atë post.

CDU-ja ka sunduar skenën politike gjermane në 52 nga 72 vitet e fundit. Largimi i Merkel-it nga politika, nuk garanton kandidimin e Laschet-it për kryeministër. Gjithsesja, zgjedhja si kryetar të partisë, e bën më të mundshëm hedhjen e kandidaturës nga ana e tij.

Figura e Laschet-it ka qenë shpesh e përfolur për qasjet dhe pikëpamjet e tij. Ja cilat janë pesë gjërat që duhet të dini për drejtuesin e rajonit të North-Rhine Westphalia-s.

Politika Evropiane

Laschet-i ka qenë deputet i Parlamentit Evropian për pesë vite. Ai ka shërbyer në Bruksel prej 1999-ës deri në 2005-ën. Fokuset e tija kryesore kanë qenë politika e jashtme, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet e buxhetit.

Pas kthimit në Gjermani, ai ka pasur shpesh replika me kancelaren Merkel. Laschet-i e ka kritikuar shpesh Merkelin për mungesën e ambicies. Pavarësisht kësaj, kryesisht pikëpamjet e tij janë në linjë me ato të Merkel-it.

Politikat e Jashtme

Laschet-i cilësohet nga kritikët si “pro-rus”. Kjo, për shkak se në 2019-ën, ai ka deklaruar se “Rusia na duhet për shumë arsye”. “Kemi pasur dialog edhe në kohën e Bashkimit Sovietik. Duhet të jemi të aftë të dialogojmë edhe sot”, theksonte Laschet.

Ai gjithashtu ka një qasje të butë ndaj Kinës. Përtej këtij fakti, Laschet-i ka thënë se Gjermania nuk është faktori pasiv gjeopolitik, për të cilën SHBA-ja dhe superfuqitë e tjera ankohen. “Kemi vite që jemi të përfshirë në stabilizimin e Afganistanit. Kemi mijëra ushtarë atje”, deklaronte Laschet në 2019-ën.

Marrëdhënia e tij me SHBA-në është e mirë. Amerika është cilësuar shpesh si “partneri më i madh i Gjermanisë jashtë Bashkimit Evropian”. Por, në 2014-ën, Lachet-i ka postuar në Twitter mbi çështjen e Sirisë dhe është konsideruar të ketë simpati për Bashar al Assad-in.

“Ju keni mbështetur ISIS-in dhe Al Nusra-n kundër presidentit Assad”, shkruante Lachet për ish-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, John Kerry. Për këtë, ai është akuzuar si përhapës i teorive konspirative.

Politikat e Brendshme

Siguria e brendshme është një nga pikat kryesore të agjendës së Laschet-it. Si drejtues një prej rajoneve më të spikatura për krimin e organizuar në Gjermani, atij i është dashur të merret shumë me çështjet e sigurisë kombëtare.

Përsa i përket ekstremizmit, motoja e tij është “zero tolerancë”. Ky qëndrim është ndikuar kryesisht nga sulmet terroriste të 2016-ës, në Berlin. “Ministria e Brendshme duhet të kryejë punën e saj, për këtë është votuar. Ka gjithë mjetet për t’i ndaluar këto akte”, denonconte Laschet-i në atë kohë.

Politikat Ekonomike

Kreu i ri i CDU-së e ka pozicionuar veten si neutral përsa i përket qasjeve ekonomike. Gjithsesi, ai ka deklaruar disa herë se preferon të jetë i kujdesshëm në vend që të ketë shpenzim të lartë të fondeve publike.

Muajt e fundit, Laschet-i ka pasur bashkëpunime me Liberal Demokratët, të cilët janë pro biznesit. Kjo parti njihet për kërkesën e taksave të ulëta dhe përmbajtjes fiskale.

Ndryshimet Klimatike

Laschet-i kërkon të ndërmarrë akte ndaj ndryshimeve klimatike. Pavarësisht kësaj, ai krijoi një kontradiktë kur tha se “këto akte, nuk duhet t’ia marrin frymën ekonomisë”.

Kritikët e tij ndërkohë, ngrenë dyshime mbi qasjet e tij. Në programin e prezantuar për kryetar partie, Laschet-i e përmend fjalën “klimë” vetëm një herë, në një dokument prej 10 faqesh. Mbi të gjitha, kjo përmendje nuk i referohej krizës, por një shpirti sipërmarrës dhe inovativ.

59 vjeçari Laschet, është gati të pushtojë skenën politike gjermane. Nëse ai do t’ia dalë, duhet nëse ai do të vazhdojë të ndjekë linjën 16 vjeçare të kancelares Merkel, apo do ta ridimensionojë politikën e brendshme dhe atë të jashtme gjermane./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore