Kosova

47 milionë euro kredi për përmirësimin e sistemit të skemës sociale në Kosovë


Hekuran Murati

Të mërkurën e 22 dhjetorit Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati vlera e këtij projekti është 47 milionë euro dhe si marrëveshje do t’i mundësojë qeverisë që të përmirësojë efikasitetin e reformës së sistemit të ndihmës sociale.

Murati duke e arsyetuar nevojën e këtij granti ka theksuar se me këtë projekt parashihet ngritja e kapaciteteve dhe reformim të skemës sociale në Kosovë.

“Projekti parasheh ngritje të kapaciteteve, reformim të skemës sociale, e cila është shumë diskriminuese. Aktualisht për skemat sociale buxheti është 30 milionë euro i cili nuk na plotëson nevojat”, ka thënë ai.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

“Këtë vit ka pasur një rritje të theksuar, dhe besoj se kalon mbi 50 milionë euro. Në të ardhmen mendohet të zgjerohet baza e familjeve në nevojë. Pra ka raste që ata që e meritojnë nuk marrin ndihmë sociale, por ka edhe të atillë që marrin ndihmë sociale që nuk e meritojnë”.

Në anën tjetër, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti duke e kritikuar ministrin Murati, me ç’rast ka thënë se në të kaluarën qeveritë kanë marrë kredi për investime kapitale, ndërkaq tani për skema sociale.

Ndërkaq për anëtarin tjetër të këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, mjetet e kërkuara për këtë projekt janë shumë të mëdha.

“Shuma 47 milionë euro po më duket shumë, sepse po flasim për një kredi e jo për një donacion, pra qëllimin e kuptoj dhe është shumë fisnik, por në pjesën e mjeteve të përdorura në këtë drejtim është shumë”, ka thënë Lushtaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore