Lajme

35% e premtimeve të kryetarëve të komunave s’kanë filluar as të përmbushen


Instituti GAP.

Sipas një hulumtimi të Institutit GAP i cili është publikuar të enjten 35 për qind e premtimeve të cilat janë dhënë nga kryetarët e komunave në zgjedhjet komunale, as nuk kanë filluar që të përmbushen.

Nga ky institut është thënë se deri tani janë përmbushur 26 për qind e premtimeve, gjysmë të përmbushura konsiderohen 16 për qind e 23 për qind e tyre kanë filluar të përmbushen.

“Nga gjithsej 1,816 premtime të 27 kryetarëve të komunave, 473 premtime (26%) janë përmbushur, 285 premtime (16%) janë gjysmë të përmbushura, 422 premtime (23%) janë të filluara, dhe 636 (35%) e premtimeve mbeten të pa filluara”.

Numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.

“Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre”.

Hulumtimi i institutit GAP.

“Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shenjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave”.

“Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore”, thuhet në komunikatën e GAP-it.

Kurse, numri më i vogël i premtimeve të përmbushura thuhet të jetë nga fusha e urbanizmit, sportit dhe infrastrukturës.

“Në këtë të fundit, nga gjithsej 199 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, deri më tani janë përmbushur vetëm 13 premtime (7%). Në periudhën e njëjtë të mandatit të kaluar, kjo fushë printe me numrin e premtimeve të përmbushura. Ngecje vërehet edhe në fushën e urbanizimit, sikurse në hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane dhe hartave zonale”.

Hulumtimi i Institutit GAP.

Instituti GAP, bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës.

Kjo për arsye se disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore.

“Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullatë me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet Lokale në Kosovë, ishin mbajtur me 17 tetor të 2021 ku kishin aplikuar 94 subjekte politike, ku prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore