Lajme

23 aktakuza për krime të luftës u ngritën për tri vjet


Foto: Albanian Post.

Nga viti 2020 deri në vitin 2023, janë ngritur 23 aktakuza për krimet e luftës në Kosovë nga viti 1998-1999.

Lajmi u bë i ditur nga Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilët kërkuar që të rriten kapacitetet për hetimin e krimeve të luftës.

“Ne po mundohemi që t’i rrisim kapacitetet. Nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka qenë një periudhë tranzitore për pranimin e lëndëve. Në vitin 2020 ka qenë pandemi. Ne vitin 2020 është miratuar strategjia për hetimin e krimeve të luftës, ku janë caktuar katër prokurorë për hetimin e krimeve të luftës”.

Amer Alija, nga ky fond deklaroi se tashmë kanë nisur edhe të pranojnë lëndë të reja.

“Sfida e parë ka qenë që përveç transferimit të lëndëve, nuk ka pasur transferim të praktikave, ka munguar përvoja dhe tani me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë, kemi arritur që të krijojmë një kapacitet të konsolidueshëm”, tha ai.

Ndërsa, sipas prokurorit special, Ilir Morina, ngritja e kapaciteteve të institucioneve paraqet sfidë të vazhdueshme.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave”, shtoi ai.

Kurse gjyqtari Valon Kurtaj, nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë konsideron se “sfidë është ngritja e kapaciteteve”.

Duke shtuar se, “gjykimi në mungesë është hap i rëndësishëm pozitiv”.

Më 2 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet heqje lirie serbin, Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Arsiç ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 dhe se ka maltretuar fizikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

Ndërkaq në nëntor të 2023-ës, nisi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë, ndërsa mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

16 persona u liruan nga akuzat për krime lufte në Kosovë, një numër i konsiderueshëm janë arratisur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore