Lajme

16 persona u liruan nga akuzat për krime lufte në Kosovë, një numër i konsiderueshëm janë arratisur


Foto: Albanian Post

Zlatan Arsiç, i cili akuzohej për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, u lirua të hënën e 5 shkurtit si i pafajshëm, pasi Gjykata Themelore nuk arriti ta dëshmojë se ishte pjesëtar i policisë serbe.

Njëjtë si Arsiç edhe 16 persona të tjerë të akuzuar për krime lufte në Kosovë janë liruar me vendimet gjyqësore si të pafajshëm pas përfundimit të luftës dhe disa të tjerë janë arratisur pas ngritjes së aktakuzave.

Analisti ligjor dhe monitoruesi i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, në një bisedë për Albanian Post, thotë se nga përfundimi i luftës nga gjyqësori vendor, përfshirë edhe misionet ndërkombëtare, janë akuzuar rreth 135 pjesëtarë të forcave serbe.

“Prej tyre 12 janë të dënuar me vendimet e plotfuqishme dhe 16 persona janë liruar me vendimet gjyqësore. Një numër i konsiderueshëm janë arratisur pas ngritjes së aktakuzave menjëherë pas përfundimit të luftës, disa janë në proces dhe një numër i madh tani së fundmi janë akuzuar në mungesë”, thotë Alija.

Ndërsa sa i përket vendimit që është marrë ndaj Arsiç-it, ai konsideron se trupi gjykues ka mbajtur “një proces të drejtë gjyqësor”, derisa tregon se më 2 shkurt, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kërkoi që dënimet ndaj kryeseve të krimeve të luftës të jenë më të qarta.

Zlatan Arsiç

Ai insiston që aktgjykimet nuk duhet të specifikohen, pasi sipas tij, “ato përgjithësohen në veprimet e një grupi dhe krijohet bindja se një anëtar i grupit dënohet për veprimet inkriminuese të personave të tjerë”.

“Kjo praktikë duhet ndërprerë dhe duhet arsyetuar secilin veprim inkriminues të të pandehurve dhe të jepet dënimi për secilin prej tyre veç e veç e pastaj të jepet dënimi i unifikuar. Në këtë mënyrë publiku mund të ketë shumë më të qartë se për cilat krimet dënohet i pandehuri”, ka sqaruar ai.

Në anën tjetër, juristi Ardian Bajraktari, i konsideron këto vepra si “tejet komplekse” për dy arsye, teksa e përmend faktin se Serbia nuk është e gatshme për t’i dorëzuar personat që kanë kryer krime në Kosovë.

“E para sepse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë që kur kanë ndodhur këto krime, e po ashtu edhe faktin që fqinji ynë veriore duke qenë rob i mendësisë së kaluar, përveç që është strehë për një pjesë bukur të madhe të këtyre kryeseve të veprave penale ka gatishmëri zero për të bashkëpunuar për vendosjen e drejtësisë”, potencoi Bajraktari në një përgjigje për AP.

Foto nga periudha e luftës në Kosovë, 1998-1999

Ngjashëm si Alija, edhe Bajraktari e sheh si të komplikuar dhe jo shumë të qartë përshkrimin faktik të veprimeve ndaj të akuzuarve dhe thekson se në aktgjykime mungon edhe përshkrimi faktik i veprimeve të cilët kanë kryer këta persona të cilët dënohen.

“Në rrethana normale edhe në praktikën që është zhvilluar në Tribunalin të Hagës, kemi pasur raste ku aktgjykimet kanë pasur mijëra faqe, por janë përshkruar në mënyrë të detajuar”, nënvizoi ai.

Megjithatë, juristi Arbër Jashari e sheh si pozitive faktin që vitit 2023 janë ngritur shumë aktakuza për personat që dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe tregon se edhe në vitet paraprake ka pasur aktakuza, por jo në nivele shumë të larta.

“Viteve të fundit, veçanërisht gjatë vitit 2023 kemi pasur shumë aktakuza që janë ngritur ndaj personave të cilët dyshohen për krime lufte. Aktakuza këto të cilat pastaj janë përcjellur në gjykata dhe është e vërtetë që disa prej tyre kanë marrë dënime meritore për çështje të ndryshme ose pika të ndryshme që i përbën aktakuza”, pohon ai.

Por, sqaron se është shumë e rëndësishme që vetëm ata persona të cilët vërtetohen në procedura gjyqësore që vërtetë kanë kryer krime të dënohen.

Dushko Arsiç

Më 2 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet heqje lirie serbin, Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Arsiç ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 dhe se ka maltretuar fizikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

Ndërkaq në nëntor të 2023-ës, nisi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë, ndërsa mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore