Lajme

Arshiç dënohet me 13 vjet burgim, shpallet fajtor për krime lufte


Dushko Arsiç

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka dënuar me 13 vjet heqje lirie serbin, Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Arsiç ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999.

Ai gjithashtu akuzohet se ka malltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiç në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina.

Në aktakuzë theksohet se Arsiç ka marrë pjesë edhe në plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia ka vënë zjarrin.

Dushko Arsiç u arrestua më 8 dhjetor 2021 në pikë kalimin kufitar në Jarinje.

Ai para trupit gjykues u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

“Ashtu siç kam deklaruar edhe paraprakisht, asnjëherë nuk kam qenë në Butovc apo në Kolovicë dhe nuk e di dhe nuk mund të them asgjë për këtë ngjarje”, kishte deklaruar ai gjatë seancave paraprake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore