Lajme

21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike – dy prej tyre në gjendje të rëndë


Foto nga arkivi. Prishtina në ndërrimin e viteve.

21 raste të lëndimit janë duke u trajtuar në Shërbimin Emergjent në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

Dy prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë, kjo për arsye se njëri nga pacientët është plagosur me plumb qorr, ndërsa tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, i cila ka thënë se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.

“Diku janë 18 orë, deri tani kemi pasur 217 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Shërbimin Emergjent. Prej tyre 21 raste kanë qenë të lënduar me mjete piroteknike. Në këtë rast hyjnë edhe një që ka qenë me armë zjarri, domethënë me plumb qorr”.

“Prej këtyre 21 rasteve, dy janë në gjendje të rëndë, kurse të tjerët janë trajtuar dhe lëshuar në shtëpi. Kurse dy janë pranuar, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një fëmijë të dyvjeçar, kurse tjetri në Klinikën e Oftalmologjisë, për shkak se e ka syrin në rrezik…Moshat janë fëmijë 6-vjeçar deri 60”, tha Syla për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Sipas Sylës, ndërrimi i mot moteve ka qenë i mbingarkuar në QKUK për shkak të referimit të pacientëve, siç e quan ai të pakontrolluar nga spitalet rajonale dhe ambulancat e mjekësisë familjare.

“Stafi është normal, proporcional me ligjin dhe rregulloren e punës. Mirëpo, është një problem që Qendra Emergjente është e stërngarkuar, për shkak të referimit të pakontrolluar të pacientëve, si nga spitalet periferike apo rajonale, si nga ambulancat e mjekësisë familjare dhe për shkak të kësaj jemi të stërngarkuar”.

Policia e Kosovës, kishe apeluar tek të gjithë prindërit që të jenë të kujdesshëm në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, me qëllim të shmangies së rrezikut.

Nga Policia e Kosovës, për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit është përgatitur urdhri operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore