Lajme

11 vjet më parë Pavarësia e Kosovës u vlerësua si e ligjshme


Ish - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ish - Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç duke pritur vendimin në sallën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 22 korrik të vitit 2010.

11 vjet më parë, pikërisht me 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me qendër në Hagë, me 10 vota pro dhe 4 kundër kishte vlerësuar se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, Ishte kjo përgjigja GJND-së.

Përgjigja rrjedhimisht u dha ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombëve të Bashkuara (OKB) të përgjigjet në pyetjen: “A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj Hisashi Owada kishte shpjeguar gjerësisht mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

GJND-ja kishte konstatuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t’i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë, kjo rezolutë sipas Gjykatës kishte karakter të përkohshme dhe parashikonte krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme të statutit të Kosovës.

Pas shpalljes së opinionit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, kishte pasur reagime të shumta sidomos nga shteti Serb që e kishte kundërshtuar fuqishëm vendimin e kësaj gjykate.

Ish – Presidenti i Serbisë në atë kohë Boris Tadiç kishte vlerësuar se opinioni i GJND-së “është i rëndë për Serbinë” por megjithatë Serbia do të vazhdojë që me mjete politike të mbrojë integritetin e vet territorial.

Edhe Rusia e cila konsiderohet si fuqi mbrojtëse e serbëve e kishte kritikuar vendimin e Gjykatës si “jo të pastër juridikisht dhe si vendim tërësisht politike”.

Ndërsa ish – Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e kishte pritur me gëzim shpalljen e vendimit të GJND-së.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi sot se Kosova nuk paraqet precedent, por njeh të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, për të jetuar i lirë dhe i pavarur”, ishte deklaruar Sejdiu.

Me vendimin e Gjykatës rrjedhimisht ishte hapur edhe rruga e bisedimeve Kosovë – Serbi.

E ngarkuara e Bashkimit Evropian me politikën e jashtme të asaj kohe Catherine Ashton e kishte përshëndetur vendimin e Gjykatës duke bërë thirrje palëve për dialog. “Në të ardhmen si Serbia ashtu dhe Kosova do ta kenë vendin e tyre në Bashkimin Evropian”, kishte thënë Ashton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore