Shqipëria

1 milion vaksina nga Danimarka për Ballkanin


Danimarka ka dhuruar 1 milion doza vaksinash kundër COVID-19, për katër vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Dy vendet e tjera përftuese janë Bosnja dhe Horcegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri danez i Punëve të Jashtme, Jeppe Kofod.

“Fqinjët tanë në Ballkan po hasin vështirësi në furnizimin me vaksina”, ka shkruar Kofod në Twitter. “Kjo, shton riskun e përhapjes së madhe të virusit”.

Kofod ka theksuar gjithashtu se është i lumtur që mund të asistojë partnerët e afërt me vaksina.

Nuk bëhet me dije periudha e shpërndarjes apo sa përfton çdo vend deri më tani. E sigurt, është që, Danimarka, ka dhuruar 1 milion vaksina edhe për vendet e Afrikës Veriore, në bashkëpunim me mekanizmin Covax.

Vaksinat do të jenë nga furnitori britanik i Oxford-it, AstraZeneca.

Danimarka e ka hequr nga programi i vaksinimit këtë vaksinë, edhe pse është e mundur ende të merret nëse dëshirohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore