Lajme

Zgjedhjet evropiane dhe loja e aleancave


Konsolidimi apo ruajtja e pozicioneve në Parlamentin Evropian, ndryshimi i trendit, mbijetesa apo ndikimi janë qëllimet e partive evropiane përpara zgjedhjeve evropiane të 6-9 qershorit të ardhshëm.

Ka vetëm një muaj kohë për të bindur votuesit që të mos abstenojnë përpara atij votimi që, në fakt në përgjithësi, nuk është shumë i popullarizuar.

Por diçka po ndryshon me këtë trend, nga i cili partitë në vendet e ndryshme, po kërkojnë të përfitojnë. Në një sondazh të Eurobarometrit, publikuar  më 17 prill, tregohet interesi në rritje i elektoratit për këto votime.

60 përqind e të intervistuarve shprehën se janë të interesuar për votën e qershorit, me një rritje prej 11 pikësh krahasuar me konsultimet e 2019-ës.

Sondazhi i opinionit vjen në një kohë kur ekziston një frikë e fortë se vota evropiane do të shohë rritjen e partive më radikale ose nacionaliste edhe pse me shumë gjasë ato nuk do të kenë asnjë peshë në Parlamentin e ri Evropian, pasi janë të ndara.

Numërimi mbrapsht për rinovimin e Parlamentit të Unionit filloi publikisht mbrëmjen e 29 prillit kur Spitzenkandidaten e grupeve kryesore evropiane, pra kandidatët për presidencën e Komisionit Evropian, debatuan në Mastricht për çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e kontinentit: nga Marrëveshja e Gjelbër, te lufta në Lindjen e Mesme dhe nga imigrimi i parregullt tek inteligjenca artificiale.

Parlamenti aktual Evropian përbëhet nga 705 vende, të cilat do të bëhen 720 duke filluar nga legjislatura e ardhshme. Eurodeputetët mund të shkojnë në një nga shtatë grupet parlamentare që përbëjnë spektrin politik të Strasburgut ose të jenë ‘jo anëtarë’.

Partia Popullore Evropiane (PPE) dhe Socialistët dhe Demokratët (S&D) janë aktualisht grupet më të mëdha. Së bashku me liberalët, në fakt, ata kanë përbërë gjithmonë shumicën e Parlamentit Evropian.

Projeksionet e fundit të votimit konfirmojnë rritjen e partive të ekstremit të djathtë, por tregojnë se familja e PPE-së mban pozicionin e parë si grupi më i madh në Parlament me rreth pak a shume 22 përqind të votave, rezistojnë Socialistët (Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, S&D), të cilët edhe nëse mund të pësojnë një rënie të lehtë, nuk e humbasin pozicionin e tyre si forcë e dytë duke qëndruar në rreth 18,5 përqind.

Liberalët e qendrës (Renew Europe) ndoshta do të shohin një rënie më të ndjeshme, duke shkuar nga vendi i tretë në të katërtin. Por mund të kenë rënie edhe ekologjistët (të Gjelbërit – Aleanca e Lirë Evropiane) dhe e majta radikale (Left).

Me shumë gjasë do të jenë formacionet më të vogla dhe më margjinale që do të përfitojnë nga kjo pasi për të pasur një shumicë në vendime do të duhet aleanca me një nga këto grupime.

Konservatorët euroskeptikë dhe sovranistë (Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, ECR) dhe ekstremi i djathtë (Identiteti dhe Demokracia, ID) janë të destinuar të rriten ndjeshëm, deri në marrjen e vendit të tretë, duke e spostuar atë të Renew-së.

Pikërisht këtu qëndron dhe interesi i partive, të cilët duan të tërheqin sa më shumë votues, për të ndryshuar këto tendenca, sepse çdo fletë votimi mund të ndryshojë lojën, të ribalancojë forcat, nëse votuesit besojnë se Bashkimi Evropian ia vlen të shpëtohet.

Por ky balancim forcash mund të jetë dhe ai që do të përcaktojë nëse Ursula von der Leyen meriton aprovim duke qëndruar në krye të Komisionit apo nëse duhet falënderuar dhe përshëndetur.

Në prag të zgjedhjeve: Cilat janë grupimet evropiane

Këto zhvillime mund të çojnë në një zhvendosje të konsiderueshme në të djathtë në Parlament.

Deri tani koalicioni centrist (PPE+S&D+Renew) ka qenë i bashkuar për shumë çështje themelore, si buxheti, çështjet ekonomike dhe monetare, punët e jashtme apo tregu i brendshëm.

Ndonjëherë ai është kapërcyer nga një koalicion i qendrës së majtë (Left+Greens+S&D+Renew), veçanërisht kur bëhet fjalë për liritë civile, çështjet sociale ose mjedisin. Por ka pasur gjithashtu edhe një koalicion të mundshëm të qendrës së djathtë (Renew+PPE+ECR+disa ID), veçanërisht për temat lidhur me bujqësinë, politikën industriale dhe tregtinë.

Është e qartë se kjo është një pamje shumë e thjeshtuar dhe ndryshimi i madh do të ndodhë nën shenjën e pamundësisë numerike të një koalicioni të qendrës së majtë.

Kjo do t’i jepte PPE-së një levë të madhe mbi lëvizjen drejt standardeve mjedisore më pak të detyrueshme (për të cilat tani flitet dhe nuk do të ishin të tilla në aleancë me të Gjelbrit) ose politikave më të rrepta të migracionit.

Sa i përket partive populiste dhe të ekstremit të djathtë, ato mund të bëhen tërheqëse vetëm nëse do të bindin PPE-në të formojë një koalicion me to.

Partitë e ekstremit të djathtë dhe sovraniste dominojnë jetën politike në Francë, Itali, Poloni dhe Hungari dhe sfidojnë partitë tradicionale në Gjermani dhe Spanjë. Ato nuk e duan Bashkimin Evropian, edhe pse pas Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, askush nuk po kërkon më të largohet nga Unioni. Por të gjithë duan të riformësojnë dhe shpërbëjnë BE-në nga brenda.

“Ne mund të bëhemi forcat dominuese”, deklaron kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ëndërron të “federojë të gjitha forcat kombëtare konservatore, sovraniste dhe të krishtera”. Mikja  e tij, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, dëshiron të “ta kthejë të majtën në opozitë”, ashtu sikurse bëri në Itali.

Rassemblement National (RN) e Marine Le Pen dhe Jordan Bardella-s (në grupin ID) është partia kryesore në Francë dhe sondazhet i japin 25 nga 81 eurodeputetët e zgjedhur në vend. Vëllezërit e Italisë (FdI), partia e Giorgia Melonit, mund të dërgojë 23 nga 76 eurodeputetët italianë, Ligji dhe Drejtësia (PiS) në Poloni mund të dërgojë 17 nga 53 eurodeputetët, Fidesz i Viktor Orban 11 nga 21 eurodeputetët hungarezët, AfD 16 nga 96 gjermanët dhe Vox 7 nga 61 spanjollët.

Por të gjithë këta nuk i përkasin të njëjtave grupime, nuk kanë pozicione të njëjta në politikat e brendshme, të jashtme, dhe vlerat evropiane.

Në terma thjesht elektoralë, zgjedhjet evropiane të 2024 thjesht do të pasqyrojnë trendin e dy zgjedhjeve të mëparshme evropiane, përkatësisht një rritje të deputetëve nga partitë euroskeptike dhe të ekstremit të djathtë.

Ndaj çështja kryesore mbetet pozicionimi i PPE-së për të parë drejtimin dhe kahun që do të marrë parlamenti evropian, dhe konfirmimi i Von der Leyen në krye të Komisionit.

Nga të gjitha konstatimet e fundit është parë se konsensusi mes liderëve evropianë për Von der Lyen është bërë më pak i qartë dhe mbështetës.

Ursula von der Leyen nuk dëshiron të bëjë fushatë direkte, një fushë në të cilën ajo nuk po shkëlqen. I pëlqejnë audiencat e sigurta, videot në qark të mbyllur, por nuk toleron dot pyetjet e hapura dhe e ka të vështirë të mbrohet nga kritikat ndaj rezultateve të mandatit të saj. Qartësisht von der Leyen po mbështetet në aftësinë e PPE-së për të formuar një shumicë në mbështetje të saj.

“Koalicioni i madh” pro-evropian i përbërë nga tre grupet PPE, S&D (socialdemokratët) dhe Renew (qendror-liberal) “ndoshta do të vazhdojë, edhe nëse pesha përkatëse e tre grupeve pritet të ulet”, thuhet nga Instituti Jacques Delors në një analizë të bashkëpunimit midis grupeve të PPE-së dhe ECR-së: “Është brenda këtyre grupeve që arrihen kompromise dhe marrëveshje që çojnë në një shumicë votash”, theksojnë ata.

Për më tepër, Macron ka pasur primatin e krerëve të shteteve dhe qeverive në zgjedhjet dhe emërimet strategjike, aq më tepër në një fazë vendimtare për fatet e Evropës.

Edhe nëse del i dobësuar nga zgjedhjet e qershorit, vështirë se Presidenti francez do të heqë dorë nga roli i tij, së bashku me drejtuesit e vendeve më të rëndësishme. Dhe nuk duket se Macron-i i njeh von der Leyen-it, cilësitë kryesore të kreut të Komisionit në zgjedhjet politike që Evropa duhet të bëjë për të ardhmen e saj.

Gjatë fjalimit në Sorbonne, më 25 prill, Macron shprehu qartë vizionin e tij për Evropën e Bashkuar. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Evropa jonë sot është vdekjeprurëse. Ajo mund të vdesë dhe kjo varet vetëm nga zgjedhjet tona. Por këto zgjedhje duhet të bëhen tani”, tha presidenti francez, duke përshkruar sfidat me të cilat përballet kontinenti dhe duke mbështetur nevojën për ndryshime rrënjësore në politikat e Unionit.

Duke nënvizuar se rendi botëror sfidohet hapur nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, në mënyra të ndryshme, por të dyja me synimin për konfrontim dhe të gatshëm për të minuar sistemin multilateral, Macron nënvizoi nevojën për të investuar në teknologjitë e reja, për të krijuar një mbrojtje më të fortë dhe për të dekarbonizuar ekonominë.

Macron nuk kurseu sulmin edhe ndaj nacionalistëve dhe ‘antievropianistëve’ të cilët, tha ai, “qëndruan në godinën evropiane pa paguar qiranë dhe pa respektuar rregullat e bashkëpronësisë”. Çështje që janë edhe më urgjente në kushtet e zgjedhjeve të qershorit duke i kthyer ato në vendimtare. “Ky është një moment vendimtar”, shtoi Macron dhe “ka ardhur koha që Evropa të vendosë se çfarë dëshiron të jetë”.

‘Evropa mund të vdesë’ – Cilat janë propozimet e Macron për ta shpëtuar?

Por kjo nuk do të jetë e lehtë.

Edhe pse vëzhguesit mendojnë se nuk ka gjasa që Partia Popullore Evropiane të formojë një shumicë me partitë e djathta më radikale, Presidenti i saj Manfred Weber ka mbrojtur deri tashmë të gjitha aleancat e bëra nga partitë e familjes së tij me anëtarët e ECR-së, si Fratelli d’Italia në Itali dhe Vox në Spanjë.

Ai nuk reagoi ndaj hyrjes në ECR të Reconquête!, partisë tjetër të ekstremit të djathtë francez të drejtuar nga Eric Zemmour dhe Marion Maréchal (nipi i Marine Le Pen) dhe Ursula von der Leyen, la të hapur derën e bashkëpunimit me ECR-në gjatë debatit të parë të zgjedhjeve evropiane midis përfaqësuesve të grupeve politike.

PPE-ja, gjithashtu mund të ketë nevojë për votat e një pjese të ECR-së për të kursyer refuzimin e von der Leyen nga Parlamenti, pasi partitë e koalicionit të madh nuk e mbështesin atë. Por kohët e fundit, Giorgia Meloni, që kryeson grupin ECR, ka shprehur një distancim nga Ursula von der Leyen pasi “zgjedhjet e saj (në politikat e Unionit) kanë qenë pjesërisht të gabuara”.

Marrëdhëniet midis Weber dhe socialistëve janë konfliktuale dhe po ashtu nuk janë ndër më të mirat me liberalët. Sikurse Giorgia Meloni, Manfred Weber ëndërron të dërgojë socialistët në opozitë.

Por, edhe duke u bazuar në pozicionin e Weber-it dhe Von der Leyen, nga Unioni vëzhguesit insistojnë të thonë se formimi i një “supergrupi” të ekstremit të djathtë nuk ka gjasa për shkak të vështirësive historike të bashkëpunimit (një alencë e tillë nuk do të kishte shumicën dhe nuk do të pranohej brenda PPE-së) dhe ndarjeve ideologjike brenda grupi politik euroskeptik. Për shembull, ndërsa Partia e Lirisë, PVV-ja holandeze e Geert Wilders, kundërshton fuqishëm zgjerimin e mëtejshëm, Fidesz-i hungarez i Orban-it është një mbështetës i fortë i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE, pasi kështu sheh një prurje aleatësh të fuqishëm, si presidenti serb Aleksandar Vuçiç, psh.

Një divorc i mundshëm brenda familjes sovraniste (FdI e Giorga Meloni-t me PIS-in polak), apo shkëputja nga ID e AfD-së nga grupimi ID nën shtytjen e Le Pen (e cila e sheh veten në garë për Presidencën franceze dhe mund të kërkonte aleancën me Orban) do të ishte në favor të zgjedhjeve që PPE-ja do të bënte.

Por në këtë rast, Giorgia Meloni e di që e djathta e saj sovraniste nuk do të kishte fuqinë e duhur brenda Parlamentit. Vetëm nëse ajo do të mund të bashkojë nën ombrellën e saj pjesën më të madhe të së djathtës, do të mund të arrijë një pozicion të fortë dhe kontraktues.

Gjithsesi, nuk mund të përjashtohet që ndikimi i partive të djathta mund të luajë një rol themelor në ndikimin e politikës së brendshme të Unionit në vitet në vijim, si arritja e politikave më kufizuese për imigracionin dhe një dobësim i mëtejshëm i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Sigurisht që kjo do të ndikojë edhe në rolin e BE-së në politikën ndërkombëtare. Së pari, do të krijojë një Bashkim Evropian akoma më të dobët në skenën ndërkombëtare, jo vetëm në rajonet ku ai tashmë luan një rol, si në Lindjen e Mesme, por edhe në kontekste më afër nesh, siç është Lufta në Ukrainë.

Për më tepër, iniciativat e reja, si integrimi më i madh në sektorin e mbrojtjes, në krye të axhendës së PPE-së, dhe gjithashtu të kërkuara nga presidenti francez Macron gjatë fjalimit të tij në Sorbonne më 25 prill, ndoshta do të ndeshen me kundërshtime të konsiderueshme nga e djathta ekstreme (dhe gjithashtu e majta ekstreme).

Ky do të jetë veçanërisht një problem nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, në këtë rast, për shkak të pozicioneve të forta ndaj BE-së dhe NATO-s të ish-presidentit amerikan, kombinuar me politikën e tij izoluese dhe jo-ndërhyrëse.

Fati i pesë viteve të ardhshme të BE-së dhe politika e saj më ambicioze ajo e Marrëveshjes së Gjelbër, varet pikërisht nga cilat forca do të marrin më shumë fuqi në zgjedhjet e qershorit.

Skenarët pas votimit në BE: popullorët dhe socialistët në udhëkryq mes të gjelbërve dhe të djathtës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore