Shqipëria

Rritje ekonomike me 3.8% gjatë vitit 2024, sipas Bankës së Shqipërisë


Gjatë këtij viti, ekonomia e Shqipërisë ka vijuar trendin në rritje duke lënë pas vendet e rajonit.

Në raportin e Stabilitetit Financiar publikuar së fundi, Banka e Shqipërisë analizon ecurinë e ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vendi ynë rezulton se do të ketë rritjen më të lartë të ekonomisë.

“Pritshmëritë janë që gjatë 2024 rritja ekonomike në Shqipëri do të kap nivelin 3.8% duke lënë pas  Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Vendet e rajonit vlerësohet se do të kenë një rritje ekonomike nën 3% duke përjashtuar Serbinë”, thuhet në raportin e BSH-së.

Rritja ekonomike – referuar Bankës Qendrore – ka pasur një bazë të gjerë sipas sektorëve, por kontributin më të fortë e ka dhënë sektori i shërbimeve që lidhet direkt me turizmin, rritja e investimeve të huaja.

Tregu i punës u karakterizua nga zhvillime pozitive si rritja e punësimit, rënia e normës së papunësisë dhe rritja e pagave në sektorin privat dhe atë shtetëror.

Shqipëria renditet e dyta në rajon, pas Serbisë, sa i përket normës më të ulët të papunësisë e cila në fund të 2023 rezulton 10.7%.

Ekonomia në vendet e Ballkanit Perëndimor – vëren Banka Qendrore – u rrit mesatarisht me 3.1% vitin e kaluar. Thuajse të gjitha vendet regjistruan rritje pozitive të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetur kryesisht nga forcimi i kërkesës së brendshme dhe rritja e eksporteve të shërbimit të përqendruara në aktivitetin e turizmit.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik, kontribuoi në rritjen e të ardhurave buxhetore dhe përmirësimin e bilanceve fiskale.

Kjo ecuri ka krijuar hapësirë për uljen e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në në gjithë rajonin, ku Shqipëria dhe Mali i Zi shënojnë nivelet më të larta, respektivisht 59.2% dhe 60.2%.

Gjithashtu rritje ka shënuar edhe kreditimi që vijon të mbështesë zgjerimin e aktivitetit ekonomik thuajse në të gjitha vendet e rajonit, por me ritëm disi më të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë.

Ndëkaq, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) – në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar në prill – ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të vendit për këtë vit.

Dhe pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.1% në vitin 2024, nga 3.3% që kishte qenë vlerësimi fillestar në raportin e tetorit 2023.

Kështu, Shqipëria renditet ndër vendet që do të kenë rritjen më të ulët, e katërta nga gjashtë shtete gjithsej.

Rritjen më të lartë pritet që ta ketë Kosova, me 3.8%. Edhe për Kosovën, FMN ka bërë një rishikim të lehtë në ulje, nga 4% që ishte vlerësimi i tetorit. Mali i Zi pritet të ketë një ecuri prej 3.7%, i njëjtë me tetorin.

Sakaq, rishikimi më i ndjeshëm në rritje është për Serbinë, që tashmë pritet të zgjerohet me 3.5%, nga 3% që ishte vlerësimi fillestar.

Për Maqedoninë e Veriut pritet rritje prej 2.7% )dhe për Bosnjë-Hercegovinën është bërë rishikimi më i fortë në ulje, nga 3% në 2.4%.

FMN pret që inflacioni të ulet në 3.5%, pas një mesatareje prej 4.8% në vitin 2023, për të zbritur pas vitit 2025 në 3%, që është dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë.

Deficiti i llogarisë korente ndërkaq pritet të përkeqësohet lehtë në -3.8% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), nga 3.7% në vitin 2023.

Referuar vlerësimeve paraprake të Institutit të Statistikave (INSTAT), për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit shënoi një rritje me bazë vjetore prej 3,44%.

Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85% u shënua një ngadalësim,

Në vitin 2023, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes.

Kurse industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative.

Paçka se Shqipëria shënoi vitin më të mirë turistik në vitin 2023, me më shumë se 10 milionë shtetas të huaj që hynë në vend, konsumi ishte mjaft i dobët.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96%, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Po ashtu edhe në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmoi turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta.

Niveli i lartë i emigracionit, sidomos i të rinjve dhe shtrenjtimi i çmimeve vlerësohet se kanë ulur konsumin vendas, që nuk është arritur të kompensohet nga turistët e huaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore