Lajme

Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave


Ilustrim: Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të Indeksit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Në rrjetin social, Facebook, Haradinaj, ka shkruar se “sunduesve i pengon liria e shprehjes, liria e mediave”.

Ish-kryeministri i Kosovës gjithashtu është shprehur i shqetësuar për sulmet dhe kontrollin që tentohet t’i bëhet mediave.

“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja e gazetarëve e medias së lirë “është parim dhe obligim institucional, i cili duhet të ruhet”.

“Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, ka shtuar ish- kryeministri.

Ai ka thënë se AAK-ja qëndron krah medias në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë.

Në këtë raport të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Kosova është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta.

Ky është vlerësimi më negativ që i është bërë Kosovës në dekadën e fundit.

Në vitin 2014 Kosova ishte vlerësuar me notën 70.71 nga kjo organizatë, ndërsa gjatë viti 2024 Kosova ka grumbulluar vetëm 60.19 pikë.

“Në vitin 2023, Kosova ishte vlerësuar me notën 68.38. Në vitin 2023 me notën 68.38. Në vitin 2022 me notën 67. Në vitin 2021 me notën 69.68. Në vitin 2020 me notën 70.67. Në vitin 2019 me notën 70.32. Në vitin 2018 me notën 70.39. Në vitin 2017 me notën 69.55. Në vitin 2016 me notën 69.5. Në vitin 2015 me notën 69.37”.

Kosova shënon regres për 19 vende në indeksin e “Reporterëve pa Kufij” – gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore