Shqipëria

Zyrtare, varianti Delta i pranishëm në Shqipëri


Varianti Delta ka ardhur zyrtarisht në Shqipëri.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Në bazë të disa mostrave të çuara në një laborator në Gjermani, ka rezultuar se nga kampionet, kanë rezultuar edhe variante Delta B.1.617.2.

Kjo sipas Ministrisë shpjegon edhe rritjen e rasteve të javëve të fundit.

Tashmë me këtë konfirmim, nga radhët e Ministrisë shtohet apeli për vaksinimin masiv. Ky variant i COVID-19 është shumë më i transmetueshëm se sa varianti fillestar i virusit vdekjeprurës.

Në rast shenjat, bëhet njoftimi për qëndrimin në karantinë nga personat, deri në ardhjen e ekipeve të specializuara për të konfirmuar rastin. E njëjta gjë ndodh edhe për personat, të cilët mund të kenë pasur kontakte me të prekur nga varianti Delta.

Në Shqipëri janë kryer aktualisht 1 milion e 134 mijë vaksinime. Prej tyre, janë 496 mijë qytetarë, të cilët e kanë përfunduar plotësisht procesin.

Ndërkaq e diela e 25 korrikut, është dita e fundit e vaksinimit të hapur. Pra, deri në orën 20:00, qytetarët mund të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit për të kryer një nga dozat kundër COVID-19.

Varianti Delta është një ndër mutacionet më të vonshme të COVID-19. Për herë të parë, ai u pikas në Indi. Por, falë transmetueshmërisë së lartë, ai u përhap shpejt në të gjithë botën.

Rreth 100 vende kanë pohuar praninë e variantit Delta. Ndër to, shumica e vendeve evropiane.

Problematikat janë shumë të larta nga ky variant, pasi rikthen një valë të lartë të virusit, pikërisht në çastet pas lehtësimit të situatës. Disa vende të Evropës kanë marrë masa shtrënguese shtesë, për të parandaluar përhapjen e variacionit të ri të COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore