Shqipëria

Zjarri në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë, bashkohen për ndihmë dy anije të Forcës Detare shqiptare


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka bërë me dije se dy anije të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det në brigjet veriore të Korfuzit mes Greqisë dhe Shqipërisë, 15 kilometra nga bregu.

Peleshi shtoi se, “fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në anën tonë, 5 milje larg Porto Palermos”.

“Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117”, shkruan Peleshi në median sociale Facebook.

Nga ana tjetër pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija dhe nuk raportohet për të plagosur.

Në bordin e anijes po udhëtonin 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.

Nga 288 personat në bord, 242 u shpëtuan në një varkë patrullimi të “Guardia di Finanza-s” (GDF) që ndodhej në atë pjesë të detit.

Madje sipas mediave greke, të gjithë personat që ndodheshin në traget janë larguar dhe ndodhen nëpër varka shpëtimi.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Në vendngjarje u dërguan tre varka patrullimi dhe tre rimorkiatorë të rojes bregdetare greke. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

Roja bregdetare greke po koordinon operacionet e shpëtimit, ndërsa roja bregdetare italiane ka siguruar avionë mbështetës dhe mjete detare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore