Shqipëria

Trageti midis Greqisë dhe Shqipërisë përfshihet nga flakët


Një traget është përfshirë nga zjarri në orët e para të 18 shkurtit. Ai po udhëtonte në detin Jon midis portit grek të Igumenicës dhe Brindisi-t.

Incidenti u regjistrua në brigjet veriore të Korfuzit, mes Greqisë dhe Shqipërisë, 15 kilometra nga bregu.

Në bordin e anijes po udhëtonin 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.

Sipas informacioneve të publikuara deri më tani nga policia vendase, “kapiteni i Euroferry Olympia u ka kërkuar pasagjerëve të largohen nga anija”.

Raportime të ndryshme theksojnë se trageti është evakuuar plotësisht dhe për momentin nuk raportohet për të plagosur.

Nga 288 personat në bord, 242 u shpëtuan në një varkë patrullimi të “Guardia di Finanza-s” (GDF) që ndodhej në atë pjesë të detit.

Madje sipas mediave greke, të gjithë personat që ndodheshin në traget janë larguar dhe ndodhen nëpër varka shpëtimi.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Në vendngjarje u dërguan tre varka patrullimi dhe tre rimorkiatorë të rojes bregdetare greke. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

Roja bregdetare greke po koordinon operacionet e shpëtimit, ndërsa roja bregdetare italiane ka siguruar avionë mbështetës dhe mjete detare.

Njësia e Krizave të Linjave Grimaldi po mblidhet për të ndjekur zhvillimin e situatës dhe për të konstatuar nëse ka persona të përfshirë nga zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore