Gjykata Speciale

Zijadin Hoxha në Speciale përshkruan periudhën e luftës në uzinën e metalit në Kukës


Zijadin Hoxha.

Edhe në ditën e dytë në Gjykatën Speciale, ka vazhduar dëshminë Zijadin Hoxha në çështjen gjyqësore ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili ka shpjeguar pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës në vitin 1999.

Hoxha, gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i Shalës, avokati Jean Louis Gilissen, kishte treguar periudhën e luftës në uzinën e metalit në Kukës.

“Më 2 qershor të 1999-ës, Latif Fejzullahu ishte brenda në uzinë. Në këtë dhomë kisha fjetur edhe unë. Kanë qenë tre shtretër dhe gjumin e kemi bërë katër persona”.

“Dhoma ishte e madhe përafërsisht 9-10 metra katrorë, nuk ka qenë e madhe”.

Gjatë pyetjeve të avokatit, disa herë ka ndërhyrë edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Folgia, e cila pyeti dëshmitarin se “çka nënkuptohej me sanitet”,

Lidhur me këtë dëshmitari u përgjigj duke thënë se, “ishte dhoma e personelit mjekësor”.

Sa i përket uniformëve që mbanin motrat medicinale që punonin në uzinën e metalit në Kukës, ai tha se i kanë mbajtur vetëm mantelet e bardha.

Avokati Jean Louis Gilissen.

“Në kohën kur nuk kanë pasur nevojë të intervenojnë dikund i kanë mbajtur këto uniforma. Përndryshe i kanë pas mantelet e bardhë, asgjë tjetër për të identifikuar diçka”.

Ndërsa, në një pamje të prezantuar në vazhdim, dëshmitari tha se shihej një person me emrin, Bedri Azemi.

Dhoma në të cilën ishin xhiruar këto pamje, dëshmitari tha se, “ndodhej në katin përdhese në objektin ku ka qenë komanda e logjistikës”.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në rastin e Pjetër Shalës, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse.

Kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Zijadin Hoxha nis dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës: Në prill kam ardhur në Shqipëri për t’u mobilizuar me UÇK-në

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore