Lajme

Zgjedhjet në Veri: KQZ-ja shtyn rekomandimet e KKZ-ve për qendrat e votimit


Foto nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme tri pika të rendit të ditës e njëra ndër to ishte edhe njoftimi për rekomandimet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan për qendrat e votimit.

Sipas kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj shtyrja po bëhet për shkak se KKZ-ja nuk ka arritur që të përgatis raportin.

“Arsyetimi që të shtyhen këto pika për mbledhjen e rashës me qëllim që pas vlerësimit të KKZ-të në secilën komunë ta kemi raportin e plotë, që të trajtohet në KQZ, sepse nuk ka arritur të përgatitet me kohë nga KKZ-të”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa dy pikat e tjera të cilat janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme kanë qenë edhe shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të këtyre katër komunave.

Po ashtu, edhe numri i fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvende në Komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit.

Mbledhja e KQZ-së të enjten.

Një tjetër pik e cila është shtyrë është edhe rekomandimi për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime.

Ky vendim është kundërshtuar nga anëtarët e KQZ-së, Ilir Gashi dhe Arianit Elshani, të cilët kishin kërkuar më shumë arsyje për të shtyrë këto pika të rendit të ditës.

“Mendoj që më mirë është me miratu rendin e ditës kështu siç është, pastaj kur të vijmë te pika e radhës, me propozimin e kryesuesit të këshillit i largojmë pikat një nga një, sepse duhet të ketë edhe një arsye se pse po largohen”, tha Gashi.

“Duhet të jepet arsyetim se pse po hiqen, pa një lloj arsyetimi nuk mund të marrim vendim, konsideroj që Sekretariati mundet me na dhënë një arsyetim dhe pastaj vazhdojmë”, deklaroi Elshani.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore