Lajme

Shtyhen zgjedhjet në Veri, thotë Osmani


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, këtë të shtunë, ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Osmani ka thënë se zgjedhjet për këto katër komuna do të mbahen më 23 prill të vitit 2023.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej ka bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Për këtë vendim, sipas Osmanit, ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Duke u bazuar në zhvillimet dua të ju njoftoj qe kam pasur kontakte edhe me institucione të BE-së dhe më kanë thënë që nuk do të marrin pjesë për vëzhgim për shkak të kohës së shkurtër. Bazuar në këto vlerësime propozimi ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash. Erdhëm në përfundim të shtyhet për në prill”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Albanian Post një ditë më parë duke u thirrur në burime diplomatike kishte raportuar se shtyrja e zgjedhjeve në Veri tashmë ishte punë e kryer.

AP kishte kuptuar se Kosova i është bindur kërkesës ndërkombëtare për të hequr dorë nga mbajtja e zgjedhjeve.

Komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në këtë fazë në Veri.

Është vendosur, zgjedhjet në 4 komunat veriore do të shtyhen

Policia e Kosovës pasi situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj.

Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.

Ndërkohë që Osmani po konsultohej me partitë politike lidhur me shtyrjen apo jo të zgjedhjeve në Veri serbët janë grumbulluar duke i barrikaduar disa rrugë.

Arsyeja e grumbullimit të serbëve nga Veriu i Kosovës dhe bllokimi i rrugëve në Rudarë, afër komunës së Zveçanit, por jo vetëm, ka të bëjë me arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, i cili po dyshohet se ka hedhur njërën nga shok-bombat në Mitrovicë të Veriut, ditë më parë.

Qëllimi kryesor i serbëve në këtë rast është që duke u barrikaduar të pamundësojnë transferimin e ish-policit serb, tashmë të arrestuar, në stacionin qendror të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Rrugët sipas raportimeve janë bllokuar edhe në Komunën e Leposaviqit.

Serbët bllokojnë rrugët në Veri, duan t’ia pamundësojnë policisë transferimin e të arrestuarit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore