Lajme

Serbët bllokojnë rrugët në Veri, duan t’ia pamundësojnë policisë transferimin e të arrestuarit


Arsyeja e grumbullimit të serbëve nga Veriu i Kosovës dhe bllokimi i rrugëve në Rudarë, afër komunës së Zveçanit, por jo vetëm, ka të bëjë me arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, i cili po dyshohet se ka hedhur njërën nga shok-bombat në Mitrovicë të Veriut, ditë më parë.

Qëllimi kryesor i serbëve në këtë rast është që duke u barrikaduar të pamundësojnë transferimin e ish-policit serb, tashmë të arrestuar, në stacionin qendror të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Qytetarët serbë në veri rreth orës 15:00 kanë filluar të mblidhen në Rudarë, në afërsi të Zveçanit si dhe në komunën e Leposaviqit.

Gjithashtu, raportohet se afër barrikadave janë parë edhe persona me maska ndërsa sirenat e alarmit janë lëshuar në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore