Shqipëria

Zgjedhja e Presidentit “të shqiptarëve”, mbahet sot mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve


Mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve, për të filluar përcaktimin e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, do të mbahet gjatë kësaj dite.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, pas propozimit nga krerët e Grupeve Parlamentare vendosi datën 4 maj në orën 12:30, si ditë kur do të mbahet mbledhja e Konferencës.

Në rendin e ditës është parashikuar fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit.  Më pas do të përcaktohet data e raundit të parë të votimit për Presidentin.

Procesi i zgjedhjes së Presidentit

Do të ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili deklaroi se pas një takimi me dy krerët e tjerë të opozitës Fatmir Mediu dhe Mesila Doda, që do të shtyhej data, pasi ishte parashikuar më 29 prill.

Sipas Ballës kjo u bë me qëllim që, “të gjitha grupet parlamentare duhet të merrnin kohën e nevojshme për të reflektuar”.

Si Balla ashtu edhe kryeministri Edi Rama, në daljet e tyre publike kanë bërë të ditur se propozimet për President nuk do të vijnë nga radhët e deputetëve socialistë.

Sakaq lobimi i tyre ka vijuar për një “President të shqiptarëve”, dhe të zgjidhet në konsensus me Grupet Parlamentare të opozitës.

“Do të zgjedhim një President të të gjithë shqiptarëve – jo të socialistëve – që personifikon unitetin e popullit, siç e përcakton dhe Kushtetuta”, ka deklaruar Balla në daljet e tij për gazetarët.

Mediu dhe Doda kanë zhvilluar disa takime me Ballën. Ai që ka munguar ka qenë Enkelejd Alibeaj, kreu i Grupit të demokratëve.

Taulant Balla
“Përçarja” e demokratëve

Partia Demokratike që po drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit, e ka shkarkuar Alibeajn si kryetar të Grupit të Parlamentar, të shtunën e 30 prillit në Kuvendin Kombëtar.

Që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Alibeaj mori edhe detyrën e kreut të komanduar të bluve. Por as këtë grupi i “Rithemelimit” nuk e njeh.

Një vendim i Gjykatës së Tiranës, e cila njohu ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit – i thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha – do të sillte një “përçarje” edhe më të thellë të demokratëve.

Nga ana tjetër ndërkombëtarët dhe mazhoranca parlamentare kanë deklaruar të prerë se ata njohin vetëm Alibeajn si kryetar të komanduar dhe në krye të Grupit Parlamentar të PD-së.

Balla ka deklaruar se, “Sali Berisha nuk ekziston as si Grup Parlamentar. Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Për ne ai nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston, nuk ke pse negocion”.

Enkelejd Alibeaj

PD-ja është e ndarë në dy grupime politike: Grupi i Rithemelimit dhe grupi i PD-së zyrtare – pasi pritet një vendim i Apelit rreth njohjes së ndryshimeve statutore të 11 dhjetorit – që drejtohet nga kryetari i mandatuar Alibeaj.

Ndërkohë që vijon puna për zgjedhjen e Presidentit, “akrepat e orës” për demokratët kanë ndalur.

Kjo pasi, Balla ka publikuar edhe emrat negociues – përveç tij – nga radhët e socialistëve për zgjedhjen e Presidentit. Ata janë: Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Damian Gjiknuri, sekretar i Përgjithshëm i PS-së.

Gjatë kësaj dite pritet se kush do të paraqitet nga opozita demokrate në mbledhjen e Konferencës së parë të Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës shqiptare.

Zgjedhja e Presidentit

Kushtetuta parashikon se pesë janë raundet që zhvillohen për votimin e Presidentit.

Pas mbledhjes së parë të Konferencës së Kryetarëve, pas shtatë ditëve vijon seanca tjetër.

Ndërsa 24 maji është afati i fundit që përcakton Kushtetuta për procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Roli i Grupeve Parlamentare në zgjedhjen e presidentit

Me kushtetutën aktuale, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Rruga drejt një presidenti me konsensus të gjerë, kalon edhe nga miratimi i opozitës.

Për ta zgjedhur që në raundin e parë duhen 84 vota.

Nëse përllogariten votat e socialdemokratëve, shtatë votat e tjera duhet të gjenden mes deputetëve të selisë blu.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Nga shtatë presidentë të zgjedhur pas rrëzimit të diktaturës, Ramiz Alia, Rexhep Meidani dhe Ilir Meta janë të majtë.

Katër të tjerët ishin të djathtë: Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani.

Kush do të jetë i teti në radhë?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore