Shqipëria

I teti n’Presidencë


Presidenca e shtatë në historinë post-komuniste të Shqipërisë pritet të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Për këtë arsye, forcat politike janë duke punuar që të gjejnë fillimisht gjuhën e përbashkët për pasardhësin e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Thënë më thjesht, të tetin n’Presidencë.

“Shumë shpejt do na duhet të mendojmë për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Partia Demokratike nuk do të votojë asnjë kandidat për president të propozuar nga Edi Rama. Kjo ishte thirrja e ish-liderit demokrat Sali Berisha.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ravijëzoi me bindje se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri do të përfundojë brenda datës 24 maj.

Së fundmi ish-krydemokrati Lulzim Basha do t’i shmangej pyetjes lidhur me postin e presidentit të 8-të të Republikës së Shqipërisë.

Kështu paraqitet situata aktuale nga bulevardi politik e deri në udhëkryqet e fateve të Presidencës.

Profecia joprofetike

“Après moi, le déluge” (Pas meje, përmbytja).

Këto ishin fjalët e fundit si president të Sali Berishës gjatë një interviste me gazetarin Peter Lucas.

Kësisoj, mori shkas edhe kërkesa e palëve për një president që duhet t’i përngjajë një pararendësi.

I ftuar në konferencën “Rinia dhe e Ardhmja e Ballkanit”, Veliaj nënvizoi se pasuesi i Ilir Metës duhet të jetë një president që vepron përtej të majtës dhe të djathtës.

“Kush i do të mirën këtij vendi dhe do të sugjerojë identikitin e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, ai duhet të jetë si presidenti Moisiu sepse besoj se ka një konsensus të jashtëzakonshëm, përtej bindjeve politike, përtej të majtës dhe së djathtës, përtej myslimanëve dhe të krishterëve, përtej Veriut dhe Jugut, se ai është identikiti i presidentit që na duhet”, solli në vëmendje kryebashkiaku.

Nga ana tjetër, Berisha sqaroi se Komisioni i Rithemelimit nuk do të propozojë asnjë emër.

Ish-kryeministri përjashtoi në mënyrë kategorike votën për një kandidat të Ramës.

“Ne jemi opozitë dhe nuk mund të propozojmë emër. Nuk votojmë asnjë kandidat të Edi Ramës për president. Është njësoj si të çosh në Presidencë kopjen e tij”, vërejti Berisha.

Në një intervistë për mediat, numri dy i PS-së, Damian Gjiknuri do të vlerësonte se “kandidatura për president nuk duhet të ketë ambicie politike”.

Meta, sipas tij, ka qenë një president i mirëfilltë politik dhe me një agjendë politike.

Kjo, në shërbim të opozitës dhe të interesave të tij.

“Unë e kam thënë edhe në një deklaratë të mëparshme se ne synojmë një president që di të qëndrojë mbi palët. Nuk ka njerëz apolitikë, është shumë e vështirë të gjesh njerëz në shoqërinë shqiptare të cilët nuk kanë qasje politike”, shtoi Gjiknuri.

Historiku 

Pikënisja e rrugës procedurale për kalimin e shtetit shqiptar drejt monarkisë u shënua në mesazhin e datës 1 qershor të vitit 1928.

Zogu si President i Republikës, dërgoi në legjislativ një shkresë në dy departamente: Senat dhe Dhomën e Deputetëve.

Bazuar në nenet 79 dhe 141 të Statutit të Kartës, Zogu u kërkoi atyre të diskutonin dhe rishikonin Statusin, i cili sipas tij kishte shumë mangësi.

Një nga mangësitë ishte se nuk ofronte funksionin e disa prej institucioneve kryesore si Kryeministri dhe Këshilli i Shtetit.

Duke iu kthyer periudhës post-komuniste, në vitin 1992, Sali Berisha do të betohej si presidenti i parë i Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Kreu i selisë blu do të fillonte një program të reformave ekonomike dhe demokratike.

Por përparimi në këto çështje ngeci në mesin e viteve ’90-të, për shkak të bllokimit politik.

Një Forcë Mbrojtëse Shumëkombëshe e OKB-së rivendosi rendin dhe një qeveri e përkohshme mbikëqyri zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 1997.

Këto të fundit, i kthyen socialistët dhe aleatët e tyre në pushtet në nivel kombëtar.

Berisha dha dorëheqjen nga Presidenca dhe socialistët zgjodhën Rexhep Meidanin si pasuesin e tij.

Kujtojmë që nga shtatë presidentë të zgjedhur pas rrëzimit të diktaturës, vetëm Ramiz Alia, Rexhep Meidani dhe Ilir Meta janë të majtë.

Ndërsa, katër të tjerët janë të djathtë: Sali Berisha, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani.

Meidani është i pari dhe i vetmi socialist i zgjedhur president, që pas rrëzimit të komunizmit.

Njëkohësisht, ish-kreu i shtetit mbetet një nga figurat më pak të përfolura për korrupsion, ose për skandale.

Presidencë “në paqe”

Në vitin 1998, shqiptarët ratifikuan një kushtetutë të re përmes referendumit popullor.

Më 24 korrik të vitit 2002, Alfred Moisiu u betua si President i Republikës.

Një figurë mbi palët, ai u zgjodh si kandidat konsensual i partive në pushtet dhe opozitë.

Modeli i tij i kohës i rezistoi viteve, aq sa përcillet tanimë si frymë ose si qasje për t’u afruar në Presidencë.

Moisiu ishte ndër të vetmit që ka ndërhyrë dhe ka arritur një marrëveshje politike.

Kjo, duke zgjidhur një krizë mes socialistëve dhe demokratëve.

Konfliktet e tij parimore ishin fillimisht me kryeministrin e kohës, Fatos Nano.

Më pas përvijuan me Berishën dhe të dyja u fituan përmes kompromisit “mbi palët”.

“Është identikiti i Moisiut dhe mënyra sesi ai u zgjodh, grishja më e madhe që të shtyn të besosh se një figurë e dakordësuar do të ishte më e mirë sesa një emër i imponuar me votë dhe që përfaqëson një stemë politike të caktuar”, shkruan analisti Skënder Minxhozi në analizën e tij.

Transferimi paqësor i pushtetit nga presidenti Meidani te presidenti Moisiu ishte rezultat i një marrëveshjeje mes palëve.

Kjo, për të angazhuar njëra-tjetrën brenda strukturave të ngritura parlamentare.

“Armëpushimi” solli një periudhë të re të stabilitetit politik në Shqipëri.

Por, kompromisi midis liderëve të partive filloi të venitej në verën e vitit 2003.

Dy vite më pas, Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të ktheheshin sërish në pushtet.

Një tjetër proces i diskutueshëm politik asokohe ishte periudha parazgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2007.

Zgjedhjet ishin një tregues i mungesës së vullnetit politik për të bashkëpunuar dhe i nevojës së menjëhershme për një reformë “gjithëpërfshirëse” zgjedhore.

Ndryshimet e mëdha

Ndryshimi kushtetues, i ideuar nga demokratët e Berishës u miratua në prill të vitit 2008.

Por, mënyra e zgjedhjes së presidentit u kundërshtua nga partitë e vogla opozitare.

Ky ndryshim bënte të mundur që kreu i shtetit të zgjidhej edhe me një shumicë të thjeshtë prej 50 plus 1 votash ose me 71 vota në parlament.

Para këtij ndryshimi, në rast se presidenti nuk zgjidhej brenda tri raundeve të para me 3/5 të votave, pra me 84 vota, shpallej “kriza presidenciale”.

Parlamenti shpërbëhej dhe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Një nga zërat më kritikë, asokohe, ishte presidenti aktual Ilir Meta.

LSI-ja do të ndërmerrte një nismë për të mbledhur firmat e 28 deputetëve që të organizonte një referendum popullor.

Kjo, për të miratuar nga populli mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Skenarët

Me kushtetutën aktuale socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Rruga drejt një presidenti me konsensus të gjerë, kalon edhe nga miratimi i opozitës.

Për ta zgjedhur që në raundin e parë duhen 84 vota.

Nëse përllogariten votat e socialdemokratëve, shtatë votat e tjera duhet të gjenden mes deputetëve të selisë blu.

Me vëmendjen ose pikën fokale te një figurë si Moisiu, nuk mund të përjashtojmë mundësinë historike të një presidenteje grua për të parën herë.

Shqipëria sakaq nuk duhet të përsërisë traditën e presidentëve “pa histori”, kalimtarë e problematikë.

Modeli nuk është harruar dhe “përmbytja e figurave” është shembulli më i afërt në kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore