Lajme

Zëvendësministrja e MPJ-së shpallet fajtore për mos deklarim të pasurisë


Liza Gashi

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, është shpallur fajtore për mosdeklarim të pasurisë brenda afateve kohore të përcaktuara nga Agjencia Kundër-Korrupsion.

Gashi është dënuar me 500 euro gjobë. Gjykata Themelore në Prishtinë po ashtu ka sqaruar në vendimin e saj se dënimi i shqiptuar me gjobë prej 500 euro ndaj Gashit, është vendim meritor dhe vendim përmes të cilit do të parandalojë të akuzuarën Gashi që të kryejë vepra tjera penale në të ardhmen.

Gjykata Themelore, siç raporton mediumi “Betimi për Drejtësi” më 15 qershor të 2022-s ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Gashit për veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Gashi në cilësinë e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë edhe pse ka qenë e njoftuar përmes vendimit për emërim nga Kryeministri Kurti si dhe nga zyrtarja kontraktuese brenda ministrisë, e njëjta deklarimin e pasurisë e ka bërë me vonesë.

Gjykatësi Eroll Gashi pasi që ka shqyrtuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për dhënien e urdhrit ndëshkimor.

Për mosdeklarim të pasurisë ishte dënuar edhe ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, me 700 euro gjobë me 29 dhjetor 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore