Lajme

Zëvendëskryeministrja serbe: Serbëve nuk u paguhet rryma në Veri, është gënjeshtër


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Ministrja për Energji në Serbi, Zorana Mihajlloviç

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, njëherit edhe Ministrja për Energji në Qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviç, e ka quajtur “gënjeshtër” se serbëve në Veri të Kosovës u paguhet rryma elektrike.

Kjo, sipas saj, “është një lloj tjetër i presionit brutal që u bëhet serbëve”.

“Kjo është një tjetër seri e gënjeshtrave dhe konspiracisë së organizuar kundër serbëve. Borxhi prej 17 milionë eurosh që KOSTT ka raportuar deri dhjetor të 2020-tës është gënjeshtër”, ka deklaruar ajo.

“Sepse deri në dhjetor, furnizimi në Veri ka ardhur direkt nga Serbia”, thotë mes të tjerash ajo.

Ajo tha se KOSTT është operatori i sistemit të bartjes, dhe se dërgimi tek përdoruesit fundor bëhet nga shpërndarësi.

“Kështu që, nuk ka asnjë dëshmi që kjo ka të bëjë me konsumin në Veri. KOSTT ka këmbëngulur që të jetë operator i sistemit bartës, dhe në këtë mënyrë tregon se është e paaftë të bëjë këtë punë”, vazhdon ajo.

Mihajloviç madje akuzon se “KOSTT në mënyrë të falsifikueshme është çertifikuar mbi pronën serbe”, dhe se “nuk ka bazë në përdorimin e saj”.

“Qëllimi”, sipas kësaj ministreje serbe, “është t’i lënë serbët pa rrymë dhe me borxhe”.

“Qëllimi është t’u bëhet presion serbëve përsëri dhe t’i bëjnë të palumtur të jenë në një shtet të rremë”, supozon ajo.

Ndërkaq, mbi këto “premisa”, konstaton ajo, “është e nevojshme të themelohet Asociacioni i Komunave serbe sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që serbët të jetojnë jetë normale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore