Lajme

Zelanda e Re ndërmerr masa për parandalimin e COVID-19


Zelanda e Re është duke u përgatitur për shpërthimin më të madh të coronavirusit, ndërsa rastet e infektimit sa vijnë dhe rriten.

Të martën e 24 gushtit, vendi regjistroi 41 raste të reja pozitive, duke e çuar numrin e përgjithshëm në shpërthimin e tij në 148 (shumica janë samoanë).

Një bllokim mbarëkombëtar, niveli 4 – cilësimi më i lartë – është zgjatur të paktën deri në fund të javës, pasi vendi lufton për të kontrolluar shpërthimin e variantit Delta.

Auckland, qyteti më i madh i vendit, ku shumica e rasteve janë zbuluar, do të mbetet i izoluar deri në fund të muajit.

Nga 41 rastet e reja, 38 janë në Auckland dhe tre janë në Wellington. Nga 148 raste gjithsej, 89 janë të lidhura epidemiologjikisht me grupin Auckland, me pjesën e mbetur ende nën hetim.

Tetë persona janë të shtruar në spital, por asnjëri nuk është në kujdes intensiv.

Sekuenca e gjenomit e ka lidhur grupin me një të kthyer nga Australia. Ende nuk dihet sesi virusi u transmetua nga udhëtarja, e cila ishte në karantinë, në komunitet.

Të martën pasdite, drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, doktor Ashley Bloomfield, tha “që të merresh me variantin Delta ishte si të merresh me një virus krejt të ri”.

Më herët, kryeministrja Jacinda Ardern deklaroi se rritja e rasteve nuk ishte “e papritur”.

“Punonjësit e shëndetësisë vazhdojnë të gjejnë njerëz, të cilët ka të ngjarë të kenë qenë në kontakt me një rast COVID-19 dhe mund të kenë qenë infektivë para fillimit të bllokimit”, tha ajo.

Hyrja e variantit shumë infektiv Delta ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me përgjigjen pandemike të Zelandës së Re.

Ministri i reagimit ndaj COVID-19, Chris Hipkins, tha se varianti “ndryshon lojën në mënyrë të konsiderueshme”, duke i bërë mbrojtjet ekzistuese “të duken më pak të përshtatshme”.

Zelanda e Re kishte kaluar gjashtë muaj pa asnjë infeksion të vetëm tё coronavirusit.

Vendi u vlerësua për masat e tij të shpejta, të rrepta të bllokimit në vitin 2020, të cilat, në mënyrë efektive, ndaluan përhapjen e virusit.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri tani ka pasur 3 mijё e 16 raste të konfirmuara gjithsej në vend dhe 26 vdekje të raportuara.

Kohët e fundit, autoritetet njoftuan një bllokim të menjëhershëm në zona të caktuara, pasi një burrë rezultoi pozitiv në Auckland me variantin Delta.

Tani janë 72 raste aktive. Shtatë shkolla në qytet kanë raportuar raste pozitive midis nxënësve dhe vendi ka njoftuar gjithashtu gjashtë infeksione në kryeqytetin, Wellington.

Zyrtarët po paralajmërojnë tani se, me siguri, do të zgjasin bllokimin e Auckland, i cili pritet të përfundojë të martën.

Duke folur për mediat të dielën, Hipkins tha se eliminimi i virusit brenda Zelandës së Re ishte ende qëllimi i qeverisë.

“Megjithatë realiteti është se virusi mund të jetë infektiv brenda 24 orëve nga infektimi i dikujt, çka ndryshon lojën në mënyrë të konsiderueshme”, tha ai për shfaqjen mediatike “Q+A” të dielën.

Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Zelandës së Re të Shëndetësisë, që nga e enjtja, më shumë se 960 mijё njerëz u vaksinuan dyfish dhe gati 1.7 milionë kishin marrë dozën e parë, në një popullsi prej pak më pak se pesë milionë.

Megjithatë, kritikët kanë vënë në dyshim shpejtësinë e përhapjes së vaksinës.

Zelanda e Re ka një numёr më tё ulët tё njerëzve plotësisht të vaksinuar në mesin e OECD – një grup ndërkombëtar vendesh që janë ndër ekonomitë më të zhvilluara në botë.

Në fillim të këtij muaji, kryeministrja Ardern njoftoi se kufijtë kombëtarë do qëndrojnë të mbyllur deri në fund të këtij viti. Qëllimi ishte vaksinimi i popullsisë deri atëherë, sipas saj.

Pas kësaj, vendi do të kalonte në një model të ri individual të bazuar në rrezik për udhëtime pa karantinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore