Lajme

Ymeri: ‘Zajednica’ e Mustafës apo e Kurtit?


Visar Ymeri, analist politik

“Zajednica nuk kalon, nuk bëhet. Asociacioni është Zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por me mua kryeministër nuk po zbatohet”, sapo të dëgjosh këtë fjali me automatizëm të kujtohet ideatori i saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kështu thoshte edhe në Kuvendin e Kosovës e në çdo pyetje që i bëhej rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Tani, një ish-bashkëpartiak i Kurtit, Visar Ymeri, në cilësinë e analistit vlerëson se ajo çfarë kryeministri po bën tani me dialogun Kosovë-Serbi, është pikërisht ajo çfarë kishte bërë ish-kryeministri Isa Mustafa në vitin 2015.

“As vetë nuk po munden të përcaktohen se ku ka nisur Zajednica. Çka po bën Qeveria Kurti aktualisht kurdo që ta nisë diskutimin, me apo pa dokumentin e paraqitur që është quajtur si pikënisje edhe akti por edhe dokumenti, i quajtur si serioz nga Escobar, prapë do të flitet për kompetencat e Asociacionit, në njëfarë mënyrë nëse e zhvendosim në kohë çka po bën Albin Kurti sot është çka ka bërë Isa Mustafa në vitin 2015, po flas proceduralisht dhe jo përmbajtësisht”, ka deklaruar Ymeri.

Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se vendosmëria e palëve nuk është për të arritur marrëveshje por më shumë të fajësohet pala tjetër.

“Kur themi Asociacion/Bashkësi, çka nënkupton ajo, ku shtrihet dhe çfarë kompetenca ka. Rezultatin e Zajednicës së Kurtit do ta shohim më vonë. Deklarimet më duken të çuditshme, gara më e madhe më duket është se kush po del penguesi, ky proces i dialogut po shihet se vendosmëria e palëve nuk është për të arritur marrëveshje por më shumë të fajësohet pala tjetër”, shtoi ai.

Sipas Ymerit, Kosova ka nevojë më shumë nevojë për marrëveshje sesa pala serbe.

“A ka nevojë më shumë Kosova për marrëveshje apo Serbia për marrëveshje? Nëse ne kemi nevojë më shumë për marrëveshje mendoj se pala kosovare duhet të jetë më insistuesi në arritjen e marrëveshjes”.

“Nëse e kemi tendencën e vogël të Qeverisë së Kosovës për ta penguar procesin mendoj se do të na kushtojë shumë. A do të ketë kompromis nga Kosova në këtë proces, natyrisht që do të ketë. Problemi është që me aq sa kam parë më shumë është folur se si do t’i rezistojnë kompromisit se sa si do t’i shtyjmë kërkesat, planet tona përpara. Strategjia e Kosovës duhet të jetë që ne të insistojmë në atë se çfarë po duam dhe jo të insistojmë se nuk bëjmë kompromis”, është shprehur Ymeri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore