Sport

Westbrook flet për herë të parë pas transferimit te Lakers


Russell Westbrook u kthye në shtëpi pasi Wizards e transferuan atë te Los Angeles Lakers.

Për media Russell u shpreh për herë të parë të martën e 10 gushtit.

Ai është i pari nga shumë transferime të Lakers, që po synojnë të ndërtojnë një super skuadër në ndjekje të titullit të 18-të të NBA.

“Kur je nga Los Angeles, gjithmonë ëndëron që një ditë mund të luash për skuadrën e shtëpisë”, nisi fjalinë e tij Westbrook.

“Kjo lëvizje është diçka që unë e kam menduar një kohë të gjatë. Gjithmonë thoja që një ditë do të ndodhte, por pastaj mendoja me vete, ‘nuk do të ndodhë kurrë’”, vazhdoi Russell.

Westbrook kishte edhe dy vite në kontratë me Washington Wizards, mirëpo, një telefonatë nga LeBron James, ndryshoi gjithçka.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejtë”, vazhdoi Russell, “mendoj që ishte punë më e shkurtër se dy javore”.

“LeBron më telefonoi, kishim një bisedë të shkurtër për gjëra të vogla, biseduam për çfarë kemi nevojë të bëjmë”.

Në sezonin e tij të 14-të në NBA, Russell Westbrook do të bashkohet me veteranët 19-vjeçar në këtë ligë, LeBron James dhe Carmelo Anthony.

“LeBron është një ndër më të mriët e të gjitha kohërave në këtë sport”, u shpreh ai.

“Unë tani jam në një skuadër që pretendon të fitojë kampionatin, dhe shpresoj që do të jem ndihmë e madhe në këtë rrugëtim”.

Një gjë tjetër për të cilën Russell shprehet shumë i lumtur, është që tani ai do të jetë afër familjes më shumë.

“Fakti që do jem afër fëmijëve më shumë, që mund të shoh prindërit dhe gruan gjatë gjithë kohës, për mua është gjëja më e mirë në jetë”, mbylli fjalimin Westbrook.

Russell këtë vit me Lakers do të tentojë të fitojë kampionatin e tij të parë në NBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore