Euro 2020

‘Wembley’ gati të presë ndeshjen e parë për Euro 2020


Stadiumi mitik i Londrës “Wembley” do të presë ndeshjen e parë për këtë Kampionat Evropian, ditën e diel. Duke filluar nga ora 15:00, Anglia vendase do të përballet me Kroacinë. Dy skuadrat janë pjesë e Grupit D në Euro 2020.

Përballja e fundit dhe Euro 2020

Këto dy kombëtare janë ndër skuadrat më të forta në Evropë dhe vitet e fundit kanë pasur disa përballje me njëra-tjetrën. Përballja e fundit në një kompeticion madhor ishte në Kupen e Botës 2018.

Atë ndeshje, Kroacia e mposhti Anglinë me rezultatin 2-1 në kohën shtesë duke siguruar biletën për finalen e madhe, të cilën e humbi përballë Francës (4-2).

Ndeshja e së dielës premton të jetë ndryshe dhe Anglia shikohet si një nga ekipet favorite për të fituar trofeun e Euro 2020.

Përpara ndeshjes, kanë folur të dy teknikët, Gareth Southgate i Anglisë dhe Zlatko Daliç-i i Kroacisë.

Sipas Southgate-t “ata (Kroacia) janë një ekip me përvojë, me lojtarë të jashtëzakonshëm, mentalitet të shkëlqyer, frymë të pabesueshme dhe të përshtatshëm taktikisht, kështu që ata me të vërtetë janë një sfidë e madhe për ne, për ndeshjen tonë të parë”, duke shtuar më tej se-“Por, ne e dimë që jemi në gjendje t’i mposhtim ata”.

Daliç-i tha se “do të zgjedhim ekipin më të mirë që mundemi për këtë ndeshje, kemi lojtarë cilësor dhe nuk kemi frikë”.

“Ne e dimë që Anglia është shumë e shpejtë, shumë agresive në sulm, ata kanë lojtarë të mëdhenj. Ne do të duhet të përgjigjemi me një bllok të fortë, por gjithashtu do të shikojmë për zotërimin dhe do të përpiqemi të sulmojmë, pasi vetëm mbrojtja nuk do të na sjellë ndonjë të mirë”, përfundoi ish-trajneri i Dinamos së Tiranës.

Formacionet e mundshme:

Anglia: Pickford; Walker, Stones, Mings, Chilwell; Phillips, Rice; Sterling, Mount, Foden; Kane.

Kroacia: Livakoviç; Vrsaljko, Çaleta-Car, Vida, Gvardiol; Brozoviç; Kramariç, Modriç, Kovaçiç, Perisiç; Rebiç.

Historiku në Evropian

Kombëtarja e Anglisë ka marrë pjesë nëntë herë më parë në Evropian, përkatësisht në Euro 1968, 1980, 1988, 1992, 1996, 2000, 2004, 2008, 2012 dhe 2016. “Tre Luanët” asnjëherë nuk kanë shkuar në finalen e këtij kompeticioni.

Kroacia ka marrë pjesë edhe pesë herë të tjera në Evropian më parë, përkatësisht në Euro 1996, 2004, 2008, 2012 dhe 2016. Edhe kroatët nuk kanë asnjë finale të regjistruar, por rasti i tyre është ndryshe, pasi kanë qenë pjesë e Jugosllavisë, e cila ka shkuar dy herë në finale, ku i ha humbur të dyja (1960 dhe 1968).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore