Shqipëria

Washington Post: Shqipëria, vendi i parë që ndërpreu marrëdhëniet diplomatike për shkak të një sulmi kibernetik


Është hera e parë që një komb ka ndërmarrë një hap kaq agresiv në përgjigje të një sulmi kibernetik.

Kështu shkruan prestigjiozja “Washington Post” në një analizë të bërë pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Kjo pasi vendi e akuzoi se ishte përgjegjëse e një sulmi kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Fill pas kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Victor Zhora, nënkryetari i agjencisë kryesore të sigurisë kibernetike të Ukrainës, postuan në Twitter se do i qëndrojnë pranë Shqipërisë.

Por është e vështirë të imagjinohet që vendet e tjera të bëjnë diçka të ngjashme në përgjigje të sulmeve kibernetike të ardhshme.

Sa shpesh shtetet i ndërpresin marrëdhëniet diplomatike, për ndonjë arsye?

Kësaj pyetje i përgjigjet Jon Bateman, një bashkëpunëtor i lartë në Programin e Teknologjisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare dhe një ish-zyrtar i sigurisë kibernetike të Pentagonit.

Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë fund marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Rusinë edhe pas ndërhyrjes së saj në zgjedhjet e vitit 2016.

Vendet e tjera nuk i dhanë fund marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara pasi informatori Edward Snowden zbuloi operacionet e vëzhgimit të SHBA-ve që synonin ato.

“Unë nuk mendoj se dikush e ka çuar nëpërmendje një veprim të tillë nëse diçka e ngjashme do të ndodhte në të ardhmen”, tha Bateman për WP-në.

Retrospektivë mbi sulmin

Sulmi kibernetik që nxiti zemërimin e Shqipërisë ndodhi në korrik.

Në përgjigje, vendi tha se duhej “të mbyllte përkohësisht aksesin në shërbimet publike online dhe faqet e tjera të internetit të qeverisë”.

Disa ditë më vonë, anëtarët e MEK-ut anuluan një samit në Shqipëri, duke përmendur kërcënimet terroriste dhe këshillat e qeverisë shqiptare.

Firma e sigurisë kibernetike Mandiant tha për Albanian Post se një “aktor i mundshëm i kërcënimit iranian” qëndronte pas sulmit kibernetik.

Reagimet

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Por shumë ekspertë të sigurisë kibernetike “u mahnitën” nga veprimi i Shqipërisë.

Dmitri Alperovitch, kryetar ekzekutiv i Silverado Policy Accelerator, theksoi se kërcënimet terroriste gjithashtu ndoshta kanë luajtur një rol në vendimin e Shqipërisë.

Sipas parimit të “mbrojtjes kolektive” të NATO-s, një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, duke i bërë akuzat e Shqipërisë të rëndësishme për studiuesin e sigurisë Kevin Beaumont.

“Veprimi i Shqipërisë na kujton se nuk ka asnjë rregull që operacionet kibernetike duhet të tolerohen në skenën ndërkombëtare”, rikujtoi Bateman.

Nga ana tjetër, ai sjell në vëmendje se tregtia mes Iranit dhe Shqipërisë është minimale, kështu që kjo ndihmon të vihet në kontekst se sa i rëndësishëm është ky veprim.

“Ndoshta shpjegon pse ne nuk shohim shumë vende që reagojnë njësoj”.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, ajo tashmë nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me dy kundërshtarët kryesorë kibernetikë në Iran dhe Korenë e Veriut dhe dëboi disa diplomatë rusë në përgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2016 dhe hakerimit të agjencive federale.

Por zyrtarët amerikanë kanë kërkuar të mbajnë hapur ambasadën e tyre në Moskë, pavarësisht sulmeve kibernetike të kaluara dhe luftës në Ukrainë, dhe është e vështirë të imagjinohet që Shtetet e Bashkuara të ndërpresin marrëdhëniet me partnerin kryesor tregtar Kinën për sulmet kibernetike.

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore