Shqipëria

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit


Qeveria shqiptare ka ndërprerë të mërkurën e 7 shtatorit marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.

Kjo e fundit ka kohë 24 orë për të larguar misionin e saj diplomatik nga territori shqiptar.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“U zbulua se sulmi i 15 korrikut nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri.

Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.

Hetimi, shtoi Rama, është kryer në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre.

Kreu i qeverisë shqiptare vërejti se objektivi i sulmit ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

“Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, garantoi kryesocialisti.

Rama shtoi se autoritetet shqiptare kanë informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike për rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore