Lajme

VV s’merr pjesë në Komision Parlamenatar, pamundëson thirrjen e Martin Berishajt


Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Pas dështimit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Energjinë Elektrike, shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në konferencë për media ka thënë se kjo mbledhje ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në mbledhjen e së premtes ishte paraparë të diskutohej për ambasadorin Martin Berishaj dhe ftesën që do t’i dërgohet për të dëshmuar në këtë Komision.

“Në anën tjetër, sot kishim për diskutim edhe një pik shumë të rëndësishme. Ftesën për ambasadorin tonë në Kroaci Martin Berishaj, që të vij dhe të dëshmoj para komisionit tonë dhe çështje të tjera po ashtu lidhen edhe me ftesa për akterë të ndryshëm”, deklaroi Tahiri para mediave.

Ai tutje ka thënë se pushteti është duke e bllokuar punën për ndriçimin e realitetit për importin e energjisë.

“Ishte paraparë që të mbahej mbledhja e rregullt e komisionit hetimor mbi zbardhjen e të vërtetës të pretendimeve tona që i kemi ngritur për keqpërdorimin e periudhës së krizës energjetike”.

“Sot edhe dështoi kjo mbledhje si rezultat i mungesës së deputeteve nga mazhoranca nga Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që askush nuk duhet të jetë kundër zbardhjes së vërtetës, mbi të gjitha zhvillimet për atë çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe të importit të energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.

Ambasadori i Kosovës në Kraoci, Martin Berishaj.

Ai ka apeluar tek Lëvizja Vetëvendosje që të mos e bllokoj punën e Komisionit Hetimor, përderisa bëri të ditur se “në fillim ishte një prezencë e vogël e tyre pastaj u larguan të gjithë”.

“Unë besoj që në mbledhjen e radhës do të marrim vendim që kur ta ftojmë Martin Berishaj”.

Ambasadori i Kosovës në Kraoci, Martin Berishaj, i cili po hetohet për mosdeklarim të pasurisë dhe u përfol për përfshirje në një skandal financiar në Slloveni, ishte paraparë të ftohet për raportim nga Komisioni Parlamentar për Energjinë Elektrike, në këtë sesion vjeshtor.

“Ende nuk kemi caktuar datë”, kishte thënë Driton Selmanaj, kryetar i këtij grupi parlamentar për Albanian Post duke shtuar se “me shumë gjasë pas 15 tetorit”.

Skandali në të cilin u përfshi Berishaj ka të bëjë me kompaninë sllovene të Energjisë Elektrike GEN-I, dega në Beograd, kompani nga e cila Kosova ka blerë rrymë, prandaj ambasadori do të intervistohet për të kuptuar nëse ai di diçka më shumë rreth kësaj çështje.

Komisioni i formuar është duke hetuar se çfarë ndodhi me blerjen e energjisë elektrike dimrin që shkoi dhe a mos eventualisht pati keqpërdorime. Siç dihet nga publikimet për Berishajn, ai kishte një kompani fiktive në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe në këtë kompani kishte pranuar në pagesa nga GEN-I, dega në Beograd, rreth 600 mijë euro.

Këto para ia paguanin Berishajt, si konsulent i kësaj kompanie për tregtim energjie elektrike në Kosovë, Shqipëri e rajon.

Martin Berishaj do ftohet të dëshmojë në komision parlamentar pas 15 tetorit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore