Lajme

VV fajëson Komunën e Prishtinës për dështimin e Sunny Hill: Nuk ishte e gatshme për bashkëpunim


Nora Kelmendi dhe Gëzim Sveçla,

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së enjte, ka fajësuar Komunën e Prishtinës për anulimin e festivalit “Sunny Hill” dhe zhvendosjes së tij në Tiranë.

Asamblistët Nora Kelmendi dhe Gëzim Sveçla, kanë thënë se asnjëherë nuk kanë qenë kundër mbajtjes së festivalit, vetëm se kanë kërkuar që dokumentacioni për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të jetë i rregulluar në bazë të legjislacionit në fuqi.

“Në seancë e kemi shprehur që dokumentacioni nuk është i kompletuar, kjo fare lehtë mund të vërtetohet përmes zgjerimeve të cilat janë në faqen e Komunës. Kemi kërkuar saqë e kemi lutur kryetarin ta tërheq si pikë të rendit të ditës, ta plotësojë dokumentacionin dhe pastaj nëse është nevoja të na thërret në seancë të jashtëzakonshme dhe ta votojmë unanimisht vendimin për ndarjen e parcelës”, është shprehur Sveçla.

“Vërejtjet tona janë bërë në tri drejtime: në aspektin procedural, kohëzgjatja e kontratës dhe qasja për festivale tjera. Në kontratën që na është dorëzuar neve dhe që e kemi këtu është shprehur se festivalet e tjera të karakterit të ngjashëm nuk lejohet mbajtja e asnjë evenimenti asnjë ngjarje në atë parcelë”, tha Sveçla.

Nora Kelmendi dhe Gëzim Sveçla,

Asamblisti i VV-së në Prishtinë, gjithashtu ka thënë se komuna nuk ishte e gatshme për bashkëpunim dhe kjo që po i bëhet qytetarëve është e gabuar.

“U dëshmua që nuk ishin të interesuar për bashkëpunim. Është e padrejtë ajo që po i bëhet rinisë së kryeqytetit tonë për mënyrën se si është vendosur që ky festival të bartet në Tiranë, ka mundur fare lehtë të bëhet në Prishtinë, me një kërkesë drejtuar Ministrisë së Shërbimeve Publike për shfrytëzim të përkohshëm kjo gjë do të ishte rregulluar dhe festivali do të mbahej njësoj si vitet paraprake”, tha mes tjerash ai.

Ndërkaq bashkë-partiakja e tij, Nora Kelmendi ka shtuar se të gjitha dokumentet që i janë dhënë asamblistëve, ishin të përgjysmuara.

“Nuk kishin asnjë informatë të detajizuar ashtu siç kërkohet me rregullore. Gjithashtu është paraqitur edhe certifikata e biznesit ku nuk figuronte përfaqësuesi i autorizuar. Më vonë e kanë sjell edhe autorizimin i cili ishte pa i noterizuar, si dhe vërtetimin që nuk ka obligime tatimore, vërtetim ky që ishte me afat të skaduar. Derisa për qarkullimin bankar për vitin paraprak asnjëherë nuk e kemi pranuar gjatë seancës, apo më vonë këtë dokument. Të gjitha këto dokumente të sjell nga ekzekutivi ishin dokumente gjysmake dhe mendoj që janë sjell vetëm sa për sy e faqe”, është shprehur Kelmendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore