Lajme

Vuçiç: Në vitet e fundit, rreth 27 shtete çnjohën Kosovën


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”, derisa është përgjigjur ndaj akuzave të opozitës serbe, ka pretenduar se vetëm gjatë mandatit të tij në krye të Serbisë dhe gjatë qeverisjes së Partisë Progresive Serbe (SNS) vitet e fundit, rreth 27 shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ata na tregojnë se kush është përgjegjës për humbjen e shtetësisë, ata në kohën e të cilëve 85 vende e kanë njohur pavarësinë e tyre dhe asnjë nuk e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe ata më thonë mua, ose neve, në kohën e të cilëve 27 vende kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar presidenti serb në llogarinë e tij.

Çnjohjet e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur qysh në vitin 2018 – pasojë e fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, kryesisht përmes ideatorit Ivica Daçiç, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, për të vazhduar më pas me përpjekjet shantazhuese kundër pavarësisë së Kosovës edhe në vitin 2023.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përkundër se Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars), përveç se parasheh që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, obligon Serbinë të ndalë fushatën e çnjohjeve, ajo ka vazhduar të njëjtin ritëm.

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka njoftuar se SHBA-të po punojnë me shtetet mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro – që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore