Shqipëria

Volumi i transportit të mallrave rritet ndjeshëm në Shqipëri


Me plot 35.3% më shumë volum mallrash të ngarkuara dhe shkarkuara në porte gjatë muajit gusht 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, Shqipëria ka parë një rritje të ndjeshme të volumit të transportit të mallrave.

Sipas publikimit të fundit të Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), rritje ka edhe për sa u përket periudhave të tjera, që prej vitit 2018.

Ndërsa përgjatë gjithë vitit 2021, edhe pse jo në këto kuota, rritja ka qenë deri në 18.8%.

Në tetë muajt e parë të 2021-shit, janë transportuar 3.241 mijë ton mallra. Vetëm gjatë gushtit, volumi ka qenë në 430 mijë ton.

Transporti hekurudhor i mallrave nga ana tjetër, ka parë ulje gjatë gushtit. Në krahasim me një vit më parë, ai është ulur me 18.8%. Nëse e matim ndërkohë me muajt gusht prej vitit 2018, ka një ulje të madhe të volumit të mallrave të transportuara nëpërmjet hekurudhës, me 39.3%.

Por, krahasimisht me dy periudhat tetëmujore, viti 2021 sheh rritje me 12% krahasuar me atë 2020.

Transporti me ajër ka parë po ashtu rritje, në masën 13.3% për muajin gusht në dy periudhat vjetore.

Shifra e vërtetë befasuese është ajo e fluturimeve të kryera për transport mallrash, ku shënohet rritje prej 80%, në krahasim me gushtin e kaluar.

Edhe në krahasim me vitet paraprirëse, ka rritje me 48%.

Pjesën më të madhe e zënë ngarkesat tregtare detare, me 48.7% të tyre. Vlera tërësore e tyre vetëm gjatë gushtit, është mbi 702 miliardë lekë.

Mbi eksportet, shumica e tyre kryhen me rrugë detare, duke u ndjekur nga ato me rrugë tokësore. Ajri dhe Hekurudha zënë pak vend.

Ndërsa, importet janë më të shumta nga toka, duke u ndjekur nga deti. Ajri dhe hekurudhat zënë vend më të vogël sërish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore