Shqipëria

Vjedhjet për banor, Shqipëria kampione në Evropë për numrin e ulët


Shqipëria është shteti me më pak vjedhje për 100 mijë banorë përgjatë viteve, ku statistikat e fundit të përditësuara nga Eurostat janë ato të vitit 2019, të cilat e shfaqin vendin me vetëm tre vjedhje për 100 mijë banorë gjatë atij vitit.

Këto shifra e vendosin Shqipërinë shumë më lart vendeve më të zhvilluara edhe brenda Bashkimit Evropian, ku rekordin e mbajnë Belgjika dhe Spanja me 140 vjedhje për 100 mijë banorë.

Në përkufizimin që institucioni i statistikave në Evropë paraqet, flitet për vjedhje, të cilat ndodhin nëpërmjet forcës, kanosjes, kërcënimeve apo edhe atyre të shtëpive.

Ndërsa Brukseli dhe Madridi janë ndër zonat më të kuqe në Evropë, Shqipëria renditet në zonën e verdhë – rrezikshmëria më e ulët.

Britania e Madhe ka po ashtu të dhëna tepër jo të favorshme. Aty regjistrohen 132 vjedhje për 100 mijë banorë. Portugalia ndjek me 106, Suedia me 88 dhe Holanda me 50.

Për vende si Gjermania, Italia apo Franca, mesatarja shkon në 42-43 vjedhje. Ndërsa, rajoni i Ballkanit në tërësi, nxjerr shifra më të moderuara.

Përtej Greqisë të përkufizuar si zonë portokalli me 40 vjedhje për 100 mijë banorë, pjesa tjetër është zonë e verdhë.

Kosova shkon në 11, Mali i Zi në 15, Serbia 17 e Maqedonia e Veriut në 20.

Sakaq, dy vendet e vetme poshtë numrit të 10 vjedhjeve, të cilat i afrohen Shqipërisë, janë Zvicra me pesë dhe Hungaria me gjashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore