Shqipëria

“Vizitoni Rivierën shqiptare, perlën e bregdetit”


“Vizitoni Rivierën shqiptare, perlën e bregdetit!”

Kështu e ka nisur artikullin e saj për Shqipërinë, gazeta franceze Le Figaro.

Në një shkrim ku përshkruhen atraksionet turistike të vendit, ajo e cilëson Shqipërinë, si “shtëpinë e disa prej plazheve më të mirë në Gadishullin Ballkanik”.

Në shkrim nuk mungojnë thirrjet që lexuesit të vizitojnë rivierën shqiptare.

“Jo, nuk është Greqia, por Riviera shqiptare, 100 km vijë bregdetare, limane të fshehura dhe zona arkeologjike”, shkruhet në artikull.

Shkrimi në gazetë nis me një retrospektivë, ku theksohet se lexuesi francez “di pak për të shkuarën e Shqipërisë”.

“Dimë pak për periudhën e diktaturës komuniste, për mercedesin e vjetër, bunkerët e shumtë dhe ndoshta njohim shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare”.

Në artikull zënë vend përshkrimet mbi Vlorën, Dhërmiun, Porto Palermon dhe plazhin e Gjipesë.

Më herët, ka qenë revista Forbes, në versionin francez të saj, e cila i ka dedikuar Shqipërisë një artikull, ku shkruan për mundësitë që ajo u ofron turistëve.

Sabah Kaddouri, redaktorja e rubrikës Lifestyle, e ka konsideruar Shqipërinë si vendin e shqiponjave dhe destinacionin ideal për pushimet e ardhshme.

Në shkrim përshkruhet Tirana dhe qytetet e tjera. Përshkimi nis me zbulimin e Shqipërisë, Llogaranë dhe Rivierën Shqiptare, një sekret që, sipas saj, tashmë është zbuluar edhe nga miliona turistë të huaj.

Ajo e cilëson historinë e Shqipërisë, gastronominë, apo mundësinë e eksplorimit si tepër ndjellëse.

“Diçka po ndodh në Shqipëri. Mos është energjia krijuese e një rinie frymëzuese? Apo një dëshirë e fuqishme për të bërë një hap thelbësor në rrugën drejt biznesit dhe kohës së lirë?”, shkruan gazetarja në artikull.

Një nga qytetet që veçohet në shkrim është ai i Beratit. Sipas Kaddourit, dëshmon për bashkëjetesën paqësore të bashkësive të ndryshme fetare dhe kulturore gjatë shekujve.

Nga ana tjetër, Riviera Shqiptare cilësohet si sekreti më i ruajtur i rusëve, ukrainasve, italianëve dhe britanikëve. Sipas saj, Shqipëria mirëpriti gati 6,5 milionë vizitorë verën e kaluar, një rekord.

Në artikull cilësohet puna e bërë nga Blendi Klosi si ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

“Kryeqyteti politik dhe ekonomik i Shqipërisë që nga viti 1920, Tirana, është një qytet simbolik, si edhe një qytet muze. Çdo cep rruge jep dëshmi për peripecitë e historisë”, shkruan gazetarja për Tiranën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore