Shqipëria

Visar Zhiti dhe Neritan Ceka, kandidatët e PD për President të Republikës


Partia Demokratike, pavarësisht faktit se mbi çështjen e Presidentit të Republikës nuk është artikuluar qartë dhe nuk është përfshirë tërësisht në proces, pritet t’i japë dy emra të kandidatëve potencialë për postin e kreut të shtetit.

Burime për Albanian Post pranë selisë blu, kanë bërë me dije se Visar Zhiti dhe Neritan Ceka, do të jenë emrat e propozuar nga të djathtët në raundet e para të votimit.

Madje, pritet që emrat të dorëzohen brenda ditës së sotme, pasi 15 maji është edhe afati i fundit i propozimit të kandidaturave për raundin e parë të votimit, i cili mbahet më pas më 16 maj.

Nga ana tjetër, emrat e Partisë Socialiste është shumë e mundshme, që të mos dorëzohen përpara raundit të tretë të votimeve. Pra, mazhoranca parlamentare mund të mos japë asnjë kandidaturë konkrete për momentin.

Megjithatë, mbetet një opsion i hapur, që socialistët të bëjnë lëvizjen e tyre ditën e sotme dhe të sjellin të paktën një emër për votim.

Për t’u theksuar mbetet fakti se gjasat për një votim bipartizan për postin e Presidentit mbeten të ulëta, duke parë edhe ndasitë e mëdha jo vetëm mes dy kampeve politike tradicionale, por edhe vetë brenda kampit të djathtë, me fraksionin e Sali Berishës nga një krah dhe atë që njihet ende si PD-ja zyrtare nga krahu tjetër, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Pritet gjithsesi që këta dy emra, të marrin edhe miratimin e Partisë Socialiste për të qenë të propozuar, nga ana procedurale.

Në rast se miratimi nuk vjen nga të majtët, atëherë ata nuk do të futen në listën e kandidatëve potencialë për postin e lartë, nga radhët e të djathtëve.

PD-ja nëpërmjet kryetarit të Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar që, Presidenti “të jetë neutral dhe t’u qëndrojë sfidave”.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar, që opozita të tregohet korrekte me kohën, sepse afati i fundit i propozimeve të kandidatëve për president po afron.

Disponibiliteti për t’i dhënë një president të gjithë shqiptarëve ka disa afate. Më 16 është i pari, ndërsa afati i fundit është data 23 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore