Shqipëria

Viktima e parë nga zjarri në Gjirokastër, Meta ngushëllon familjen


Presidenti i Republikës Shqipërisë, Ilir Meta, të martën e 3 gushtit, ka dalë në një reagim për viktimën e parë të shënuar nga zjarret e vendit në zonën e Gjirokastrës.

Meta, përmes një postimi në median sociale Facebook, shpreh ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, si dhe i uron shërim të shpejtë bashkëshortes që ka marrë dëmtime në trup.

Po ashtu, presidenti i vendit ka bërë thirrje ndaj qeverisë, në veçanti ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, të tregojnë angazhim serioz me të gjitha forcat operacionale të emergjencës dhe kapacitetet në dispozicion.

Sipas tij, është tepër urgjente organizimi i operacioneve më efikase nga ajri dhe marrja e çdo mase efektive.

Kjo për të shmangur çdo humbje tjetër jete, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe minimizuar pasojat tepër të rënda në pasuritë publike dhe private.

Meta, ndër të tjera, është solidarizuar me forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e strukturave vendore dhe qendrore të angazhuara në terren për fikjen e zjarreve.

Ndërsa ndaj qytetarëve që ndodhën në zonat me rrezikshmëri të lartë, ka bërë thirrje të jenë sa më bashkëpunues me ta.

Kësaj here, zjarri nuk kurseu as jetë njerëzish.

Pasditja e 3 gushtit qe dita e një raportimi të atillë, ku në fshatin Asim Zeneli ka humbur jetën një i moshuar e ku janë asfiksuar 10 banorë të tjerë.

Ky rëndim i situatës ka çuar drejt evakuimit të banorëve në këtë fshat, po ashtu edhe në tjetrin, Arshi Lëngo.

Kurse pak më herët, u mësua se një tjetër vatër e rrezikshme zjarri ishte shfaqur në Njësinë Administrative Lunxhëri-Antigone në Bashkinë Gjirokastër.

Aty, situata është përkeqësuar si pasojë e erës dhe zjarri ka shkuar shumë pranë banesave. Dhe për të rehabilituar gjendjen, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ato të Forcave të Armatosura kanë bashkuar forcat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore