Shqipëria

Vijojnë homazhet në nder të ish-Presidentit Nishani


Në sallën “Skënderbeu” të Presidencës shqiptare po vazhdojnë homazhet në nder të ish-presidentit, Bujar Nishani.

Paraditen e së mërkurës, nga ora 10:00-14:00 dhe pasdite 16:30-22:00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

I pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Kreu i shtetit e cilësoi Nishanin si një nga politikanët më seriozë të këtyre dekadave.

“Ai nuk ishte vetëm një bashkëshort e prind shembullor, por pa asnjë diskutim ishte një nga politikanët e mbi të gjitha qytetarët më të përgjegjshëm e më seriozë, të këtyre dekadave”, u shpeh Meta.

Sipas tij, Nishani “shkëlqeu me korrektësinë e tij, me integritetin e tij dhe me principialitetin e tij” në çdo detyrë politike e shtetërore.

“Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata të cilëve iu shërbeu me përkushtim, besnikëri dhe për gjithë ata që e patën mundësinë ta njihnin gjithmonë nga pranë e të njihnin dhe virtytet më të mira njerëzore që mishëronte”, mbylli fjalën e tij Presidenti Meta.

Më herët, në nder të ish-Presidentit Nishani, i pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në fjalën e tij, ai tha se ish-Presidenti ishte “një qytetar shembullor, prind i shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik”.

Automjeti me arkëmortin e ish-kreut të shtetit kaloi mbrëmjen e së martës në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ish-presidenti Nishani u nderua edhe nga forcat policore të Kosovës.

Arkëmorti u vendos në sallën e Presidencës “Skënderbeu” dhe, të entjen pas orës 12:00, do të dërgohet për te varrezat e Sharrës.

Ish-Presidenti Nishani ndërroi jetë të shtunën  në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.

Bujar Nishani ndërroi jetë teksa po kurohej në spitalin e Berlinit.

Shëndeti i tij u përkeqësua, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka shkaktoi vdekjen.

Pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi, jo vetëm nga figurat e politikës shqiptare, por edhe nga institucione të rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Për ndarjen e tij nga jeta, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nga mediat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore