Shqipëria

Vijojnë homazhet në nder të ish-presidentit Nishani, në orën 12 përcillet për në banesën e fundit


Në sallën “Skënderbeu” të Presidencës shqiptare kanë vazhduar homazhet në nder të ish-presidentit Bujar Nishani.

Paraditen e së enjtes, nga ora 10:00-12:00 familja do të presë vizitat e rastit.

Po ashtu, gjatë kësaj dite do të kryhen dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

I pari që shkoi në ceremoninë mortore ishte Presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga vajza e tij, Zonja e Parë, Bora Meta.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi homazhe në nder të Nishanit bashkë me deputetë dhe ministra të Qeverisë.

Për mediat ai shprehu vlerësim maksimal për rolin që pati Nishani si President i Republikës.

Balla555

Sipas Ballës, ish-kreu i shtetit në shumë momente kritike ka ditur të ruajë balancat dhe të respektojë Kushtetutën.

Përveç Ballës kolegë nga Partia Demokratike morën morën pjesë në ceremoninë mortore. Mes tyre edhe kreu i PD-së i sapozgjedhur, Sali Berisha.

Gjithashtu edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i shprehu ngushëllimet familjes.

Ndërkohë edhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi – paraardhësit e Nishanit – zhvilluan homazhe në ndder të tij.

Në nder të tij zhvilluan homazhe edhe përfaqësia e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Sakaq edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi homazhe dhe la shënimin e saj në librin e përshtypjeve.

Qeveria shqiptare datën 2 qershor e ka shpallur “Ditë Zie Kombëtare”, në nder të punës së tij si Kreu i Shtetit.

Meta, një ditë më parë, e ka çmuar të ndjerin Nishani me dekoratën më të lartë të shtetit “Dekoratën e Flamurit”.

Dekorimi i tij vjen si vlerësim i kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve.

Automjeti me arkëmortin e ish-kreut të shtetit kaloi mbrëmjen e së martës në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ish-presidenti Nishani u nderua edhe nga forcat policore të Kosovës.

Gjatë kësaj dite, pas orës 12:00, automjeti me arkëmortin e tij do të drejtohet për te varrezat e Sharrës.

Ish-Presidenti Nishani ndërroi jetë të shtunën në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.

Shëndeti i tij u përkeqësua, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka shkaktoi vdekjen.

Pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi, jo vetëm nga figurat e politikës shqiptare, por edhe nga institucione të rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Për ndarjen e tij nga jeta, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nga mediat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore