Shqipëria

Vija e kuqe e shkencave natyrore


Ndoshta mund të duket si një skenar distopik, por shifrat nuk mund të nënvlerësohen.

Këtë vit akademik, në degën e Fizikës në Universitetin e Tiranës, janë regjistruar vetëm tetë studentë.

Po, 8!

Madje, në të gjitha universitetet e vendit, kjo degë është mbyllur. Ka mbijetuar vetëm në Tiranë.

Dhe ‘fatin’ e Fizikës e kanë në përgjithësi edhe programet e tjera që i përkasin profilit të shkencave natyrore si Kimia.

Këtu qëndron edhe “vija e kuqe”, te degët shkencore, ravijëzon ish-zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj për Albanian Post, e cila e përcakton këtë vit si një nga më të vështirët.

Nora Malaj, ish-zëvendësministre e Arsimit

“Në drejtim të shkencave novale, sidomos në dy universitete të Vlorës dhe Durrësit – që lidhen me politikat që qeveria po promovon në kuadër të porteve dhe aeroporteve, se si aty do të rritet numri i punonjësve, të cilët duhet të jenë të kualifikua – prezenca e pakët e studentëve tregon që jemi larg asaj që kërkohet”, dallon ajo.

Nga ana tjetër, Malaj nxjerr në pah edhe një tjetër problematikë. Lidhet me degët e mësuesisë, pasi edhe për to diçka nuk shkon.

“Është e pafalshme që në Vlorë të mbyllet programi i gjuhës italiane apo ai i gjuhës greke në Gjirokastër. Nuk duhet t’i shohim këto studime thjesht si mësim të gjuhëve, por duhet t’i integrojmë edhe me paketa të zhvillimit të turizmit”, rekomandon Malaj.

Përtej procesit te arsimimit, ajo gjykon se këto programe duhet të lidhen edhe me turizmin, zhvillimin apo politikat ndërkombëtare.

Kjo pasi janë një domosdoshmëri teksa shoqëria është shumë më globale.

“Të ruajmë kombëtarizimin, por të vlerësojmë edhe ndërkombëtarizmin si një vlerë të shtuar. Të ruajmë identitetin e kulturës sonë, por edhe të dimë ta promovojmë atë”, shton ish-ministrja.

Sipas saj, ka ardhur momenti t’i jepet një frymëmarrje tjetër arsimit, sepse është një e mirë kombëtare dhe e mirë publike, është detyrim ligjor dhe kushtetues.

“Rrënjët e këtij problemi janë më thellë nga sa duken, është thjesht maja e ajsbergut. Kemi të bëjmë me një ngërç në kuadër të implementimit të politikave dhe realizimit konkret të tyre në fushën akademike”, veçon Malaj.

Për të, zgjidhja është lidhja e tregut të punës me tregun e dijes.

“Detyra kryesore i takon universiteteve shqiptare, të cilat duhet të bëjnë kërkim shkencor praktik: nevoja reale e fushave për të realizuar kapitalin human dhe për ta çuar drejt degëve për të cilat kanë nevojë”, sugjeron ajo.

Malaj parashikon se deri në vitin 2030, rreth 60 për qind e degëve aktuale do të ndryshojnë, ndaj dhe lind domosdoshmëria për ta riparë dhe për ta ridimensionuar shkallën e sistemeve të studimit.

Në optikën e saj, duhet punuar fort për ndërkombëtarizimin e universiteteve, çka nënkupton modelimin e dhënies së projekteve të ndryshme të shkëmbimit për të realizuar pika të përbashkëta dhe për të marrë modelet më të mira dhe për të ofruar modelet më të mira.

“Praktika të mira ka, praktika të mira njohim, por varet se si do t’i realizojmë ato”, shton ajo. Prandaj i qëndron tezës se ka ardhur momenti që të rregullohen disa balanca.

“Prioriteti më i madh në Ministrinë e Arsimit sot është bërja e një databaze të nevojave. Duhet promovuar rregullorja e fundit, për të gjithë ata që kanë përfunduat studimet 5-vjaçare në Fizikë apo Kimi, që të bëjnë kursin 6-mujor dhe të bëhen pjesë e stafeve akademike pasi është një nevojë imediate”, thekson ajo.

Duhet kuptuar se zhvillimi i karrierës nuk mund të fillojë në përfundim të shkollës së mesme, por duhet të fillojë që në sistemin para-shkollor, sipas saj.

Dhe se duhen bërë teste nga institucionet e specializuara për të parë cilat janë orientimet e fëmijëve, tendencat dhe qasjet e tyre në aspektin e zhvillimit psikomotor të tyre, në mënyrë që të orientohen në ato degë që ata mund të jenë të aftë.

“Po ashtu duhet një qasje ndryshe për kuotat e dedikuara për politikat kombëtare. Duhet parë i gjithë kuadri që në sistemin e arsimit para-universitar dhe orientimin e atyre që do të zgjedhin këto studime”, vijon Malaj.

Por problemi ka shtrirje edhe më të gjerë.

“Situata këtë vit akademik ka filluar me një rënie të theksuar të numrit të studentëve. Duhet të ishin 30 mijë maturantë të regjistruar në vijimësi të studimeve, ose universitare ose 2-vjeçare, por aktualisht janë 19 mijë”, vëren Malaj.

Çka do të thotë se 11 mijë prej tyre ende nuk janë regjistruar.

Përpos qasjes se si i ofrohet kandidatit për student mënyra për të studiuar në universitet, ndikojnë negativisht edhe tarifat e vitit universitar.

“Kjo tablo çon në një situatë, ku në nisjen e vitit akademik ndjehen të rrezikuara universitetet e rretheve, thuajse pjesa më e madhe e tyre detyrohen të mbyllin programet e mësuesisë. Ndjehen të rrezikuar një pjesë tjetër e universiteteve, të cilat në përzgjedhjen e degëve prioritare kanë ato që i përshtaten tregut të punës, por jo tregut shqiptar, atij evropian”, tregon Malaj.

Ndaj ajo mendon se ndodhemi larg mënyrës se si duhet ta menaxhojmë situatën.

“Jemi larg orientimit të kohës dhe kërkesë-ofertës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore