Film

Vetëm dy javë pas shfaqjes – dokumentari i protestave në Hong Kong thyen rekordin e arkës së Tajvanit


Protestat masive në Hong Kong në vitin 2019

Filmi “Revolution of our times”, i cili trajton temën mbi protestat pro-demokracisë që tronditën Hong Kongun në vitin 2019 ka thyer një rekord në arkë në Tajvan për një dokumentar në gjuhën kineze jashtë shtetit brenda dy javëve të para të publikimit.

“Revolution of our times”, me regji të kineastit nga Hong Kongu, Kiwi Chow dhe i cili u shfaq premierë në festivalin e filmit në Kanë vitin e kaluar, ka fituar rreth 17 milionë brenda 14 ditëve, shkruan The Guardian.

“The Revolution of Our Times”.

I lancuar në Tajvan më 25 shkurt, filmi është shfaqur në rreth 40 kinema në të gjithë Tajvanin, me disa klientë që rezervojnë kinema të tëra për ta shfaqur filmin falas.

I njëjti ka marrë edhe mbështetjen e presidentes tajvaneze, Tsai Ing-wen.

Tsai Ing-wen – Presidente e Tajvanit.

“Guximi dhe përkushtimi i popullit të Hong Kongut ndaj demokracisë janë një frymëzim për të gjithë ne, pasi ne punojmë për të ruajtur liritë tona dhe mënyrën e jetesës”, shkroi Tsai në një postim në Twitter.

Dokumentari tregon muajt e demonstratave masive në Hong Kong, të cilat mblodhën miliona njerëz të dilnin në rrugë për të marshuar kundër një ligji të propozuar për ekstradim, për të cilin shumë kishin frikë se do t’i ekspozonte Hongkongerët ndaj sistemit të errët ligjor të Kinës.

Protestat, të cilat ndonjëherë u shndërruan në përleshje të dhunshme midis protestuesve të rinj dhe policisë, nxitën Pekinin të vendoste një ligj të sigurisë kombëtare që vëzhguesit thonë se është përdorur për të shuar çdo shenjë mosmarrëveshjeje dhe për të çmontuar shoqërinë civile të qytetit.

Regjisori, Chow, i cili ka qëndruar në Hong Kong dhe nuk ka mundur ta shikojë filmin e tij në kinema, e përshkroi suksesin e filmit në Tajvan si një burim ngushëllimi.

Kiwi Chow – Regjisor i filmit dokumentar “Revolution of our times”.

“Është pothuajse si një lloj përqafimi, që kaq shumë janë të gatshëm të dëgjojnë vullnetin dhe dëshirën e Hongkongerëve. Ndjej një ndjenjë rehatie, një ndjenjë fuqie në unitetin tonë”, ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se ishte edhe “mirënjohës”, pasi që asnjë shfaqje publike nuk ka qenë e mundur në Hong Kong për shkak të ligjit të sigurisë kombëtare.

“Si regjisor i ‘Revolution of our times’, unë kurrë nuk kam qenë në gjendje të shoh krijimin tim në ekranin e madh. Kështu që unë kam shumë zili për tajvanezët dhe njerëzit jashtë vendit që mund ta shikojnë atë në një kinema”, ka thënë Chow.

“Unë gjithashtu shpresoj që mund ta shikoj me të gjithë në ekranin e madh. E pres me padurim atë ditë”, ka shtuar ai.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është zotuar të “bashkojë” Tajvanin me Kinën, edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Protestat masive në Hong Kong në vitin 2019.

“Unë mendoj se me këto shfaqje, gjëja më e rëndësishme nuk është që njerëzit të fokusohen në Hong Kong, më e rëndësishmja është që ata të përqendrohen në Tajvanin, shtëpinë e tyre”, ka thënë regjisori.

Shfaqjet e dokumentarit po mbahen gjithashtu në qytete të ndryshme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, ndërsa regjisori tha se shpresonte që filmi të kishte kuptim dhe vlerë për njerëzit kudo.

“Edhe në vendet demokratike, liria mund të humbet”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore