Shqipëria

Vështirësitë dhe udhëkryqet e mësimit online – mësimet për të ardhmen


Shumë shkolla dhe universitete në Shqipëri kanë hasur në probleme serioze gjatë organizmit të mësimit online | Jae C. Hong/Associated Press

Pandemia e ka bërë më të vështirë funksionimin e gjithçkaje, veçanërisht në vende ku problemet veçse kanë ekzistuar. Shqipëria është një ndër to. Dhe, arsimi, një ndër sektorët më të goditur.

I përballur me sfidën e auditorëve të zbrazët, ai është transformuar rrënjësisht, në forma që nuk janë pritur mirë nga të gjithë. Për arsye dhe me arsyetime të ndryshme.

Studentët kanë hasur në vështirësi për t’i ndjekur mësimet online, teksa edhe vet profesorët nuk i kanë pasur të rralla rastet kur për shkak të problemeve logjistike nuk i kanë mbajtur dot leksionet.

Energjia elektrike, problemet me internetin, pajisjet jo të përshtatshme apo të munguara dhe vet sistemet e mësimit online, janë disa nga faktorët që e kanë bërë të vështirë marrëdhënien me dijen në epokën e pandemisë.

Migena Buka, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, e intervistuar nga Albanian Post, vë theksin veçanërisht tek përdorimi i platformave të ndryshme, si një ndër problemet kryesore në punën me studentët.

“Me këto platforma punohet prej dhjetë muajsh. Asnjëri nuk ishte mësuar me to. Por, viti i ri akademik na ka gjetur disi më të përgatitur”, shton ajo.

Për vitin akademik 2020/21, Universiteti i Tiranës ka siguruar platformën Microsoft Teams, duke zvogëluar ndjeshëm nevojën e përdorimit të sistemeve tjera përgjatë procesit akademik.

“Në Teams gjendet gati gjithçka për të cilën kanë nevojë studentët. I gjithë komunikimi dhe dhënia e leksioneve ndodh aty. Tanimë aspekti teknik nuk është një problem”, thekson pedagogia Buka.

Përsa i përket pamundësive tjera teknike, nga ana e studentëve për të marrë pjesë në mësimet online, ajo thotë se janë “të paktë”. “Pjesëmarrja është diku tek 80%. Varet edhe nga lëndët natyrisht. Por, tani nuk ka shumë ndryshim nga kur ishin në auditore”.

Po pedagogët?

Probleme me funksionimin akademik në kohë pandemie ka pasur edhe në mesin e pedagogëve. “Implementimi i platformave ka qenë problem”, thotë Buka. “Fillimisht u mbështetëm tek njohuritë që kishim vetë me to. Më pasu u trajnuam për Microsoft Teams”.

Por, jo të gjithë i shfrytëzojnë avantazhet që ofron kjo platformë. “Përdorimi i tyre mbetet sërish subjektiv. Secili pedagod ka stilin e tij”, sqaron profesoresha Buka.

Problematikat e studentëve

“Jo të gjithë kanë akses në internet apo mundësi ekonomike për të pasur internet”, thotë studentja ekselente e Fakultetit të Shkencave Sociale, Rajmonda Basha, kur flet për organizimin e mësimeve online në kohë pandemie.

Megjithëse përdorimi i platformës Microsoft Teams e ka bërë më të lehtë organizimin e procesit, ajo vë në pah problematika tjera që lidhen me të mbajturit e leksioneve online.

“Problematika kryesore mbeten materialet që dërgohen në pdf apo në slide. Jo të gjithë kemi mundësi t`i printojmë. Është e lodhshme të lexosh të gjithë materialet, nëpërmjet ekranit”.

“Një pjesë e studentëve nuk kishin mundësi të ndiqnin orët mësimore online. Edhe pse ky nuk ishte rasti im kujtoi që nuk u penalizuam nga mungesat”, thekson Basha.

Dhe, sipas saj, nuk janë vetëm këto. Tarifat e studimit mbeten te larta, nënvizon studentja. Një pjesë e studentëve duhet të punojnë vet për të, në një kohë kur punë nuk ka. Praktikat nuk bëhen dot. Ndërsa, programi i shkëmbimit Erasmus zhvillohet online.

Çëshjet e cilësisë

Universitetet shqiptare kanë patur probleme me cilësinë edhe para se të niste pandemia. Prandaj, ruajtja e saj në këtë kohë është çështje debati dhe perspektive. Profesoresha Buka mendon se deri diku është mbajtur niveli.

“Opinioni im është që pavarësisht vështirësisë, deri diku është ruajtur”.

“Nuk është njësoj me auditorin, natyrisht. Mungon sinergjia, mungon kontakti. Ndoshta nuk tejçojmë si duhet të gjitha njohuritë tek studentët”, shton ajo.

Megjithatë një vlerësim përfundimtar është i munguar dhe i hershëm, në të njëjtën kohë. “Nuk mund të themi asgjë mbi efektshmërinë e sistemit, pa patur studime konkrete”, përfundon profesoresha Buka.

Studentët shqiptarë pritet ta nisin seksionin e provimeve në fund të muajit shkurt. Por, akoma nuk është qartësuar nga Ministria e Arsimit se si do të mbahen ato provime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore