Lajme

Vërshimet në Gjakovë – Peci: Do t’i kompensojmë dëmet në bujqësi


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut, do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Vizitova sot Komunën e Gjakovës për të parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Peci në Facebook.

Ai ka treguar është takuar edhe kryetarin Ardian Gjini, i cili e ka njoftuar me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve.

“Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse”.

Peci ka shtuar se muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022.

Sikur të mos mjaftonin problemet me energjinë elektrike, rritja e çmimeve, inflacioni dyshifror dhe grave e arsimtarëve, të premten dhe të shtunën nga reshjet e mëdha janë përmbytur lagje të ndryshme në disa qytete të Kosovës.

Pjesa perëndimore e vendit ka qenë më e prekura nga reshjet e shumta.

Në qytete si GjakovaRahoveci e Prizreni, ka pasur përmbytje në disa pjesë, duke dëmtuar dhjetëra shtëpi e lënë shumë banorë jashtë.

Kryetarët e komunave kanë thënë se është gjendje emergjence, derisa kanë bërë thirrje që të ndihmohen nga qeveria në Prishtinë.

Gjatë ditës, në këto qytete kanë qëndruar dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Xhelal Svecla dhe Elbert Krasniqi

Të dy kanë premtuar fillimisht një zgjidhje të menjëhershme strehimi për banorët që ua mori shtëpitë ujë dhe më pas edhe një ndihmë për riparimet e nevojshme.

“Me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini vizituam familjet në lagjet të cilat janë të prekura nga vërshimet. Gjatë kësaj vizite kuptuam nevojat e qytetarëve dhe ofruam përkrahjen e parezervë të organizmave reagues me qëllim të tejkalimit të situatës”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore