Lajme

Latifi kërkon ndihmë nga Qeveria: Situata në Rahovec është e rënduar


Ilustrim

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë qytetin që ai e drejton.

Latifi ka bërë thirrje për ndihmë meqë gjendja në terren është e rënduar.

“Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar dhe kërkoj ndihmë nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, e për t’i kompensuar dëmet e mëdha të cilat do të dihen pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij drejtoritë përkatëse, njësitë zjarrfikëse, Policia e Kosovës dhe ekipe të shumta vullnetare, janë duke punuar pandërprerë, në mbrojtje të qytetarëve si dhe për evitimin e rrezikut.

“Me vendimin tim do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve”, ka shtuar ai.

Çka po ndodh?

Reshjet e shiut të premten kanë shkaktuar vërshime në rajonin e Gjakovës dhe atë të Rahovecit.

Bazuar në videot që janë publikuar në rrjetet sociale, lumi Erenik në Gjakovë ka dalë nga shtrati.

Gjendje jo e mirë, siç përshkruhet në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, është edhe në shtëpitë e rrugët e qytetit.

Në Gjakovë po raportohet se uji ka hyrë në shtëpitë e shumë banorëve.

Situata e njëjtë është edhe në rajonin e Rahovecit.

Rahovecit është përfshirë nga vërshime të mëdha, çka ka bërë që rrugët të jenë ta pakalueshme si nga veturat, ashtu edhe nga këmbësorët.

Ndërkohë, në fshatin Sopniq të Rahovecit, uji ka mbuluar rrugën. Edhe në disa fshatra të kësaj komune janë raportuar për vërshime.

Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që nga mbrëmja e së premtes.

Një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore