Lajme

“Një fshat i Gjakovës tërësisht i vërshuar, janë evakuuar 9 familje”


Ilustrim

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se pjesa më e rrezikuar nga vërshimet në Gjakovë ishte fshati Brekoc, e cila siç thuhet, është vërshuar në tërësi nga rritja e nivelit të lumit Erenik.

Sipas AME-së, vërshimi në këtë fshat ka rrezikuar banorët, dhe se ekipet e intervenimit nga komuna e Gjakovës kanë evakuuar nëntë familje me së paku 80 anëtarë.

“Me intervenimin e ekipeve të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Komuna e Gjakovës ju është ofruar ndihmë dhe janë evakuuar 9 familje me se paku 80 anëtar, te cilët janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër të sigurte. Viktima nuk ka pasur pos dëmeve materiale te krijuara nga vërshimi i ujit, procesi i vlerësimit është në vijim, dhe do të përfundojë me përfundimin e emergjencës”, thuhet në njoftim.

AME-ja ka njoftuar se janë vërshuar edhe disa lagje të qytetit siç janë lagjja e Qabratit, lokacioni i quajtur Pika e zeze, fshati Brodosan, Meje, Rugove e Hasit, rruga Ahmet Koronica, pjesa e bllokut të ri te ura e Moglicës dhe disa tjera më intensitet me të vogël.

Sipas AME-së, situata në terren për momentin është në kontroll.

Nga niveli qendror AME është kërkuar mbështetje dhe ndihme në sanimin e situatës , rrjedhimisht edhe janë dërguar dy ekipe të Pompimit me kapacitet të lartë, ndërsa ekipi për kërkim shpëtim me barka në përmbytje është në gatishmëri operacionale për ndihmë zonës se rrezikuar”, thuhet më tej në njoftim.

Ardian Gjini

Ndryshe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë qytetin të cilën ai e drejton.

Sipas Gjinit, të reshurat gjatë natës së mbrëmshme në Gjakovë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në bodrumet e shtëpive dhe në rrugë publike.

“Nga vizitat në teren, në gjendje më të keqe janë: ura në Moglicë, rruga ‘Yllka Domi’, ‘Pika e Zezë II’, ‘Shote Galica’”, ka njoftuar ai.

Të gjitha ekipet emergjente, tregon Gjini, janë vënë në shërbim të qytetarëve për të ju dhënë ndihmë.

“Aktualisht nuk mund të vlerësojmë saktë dëmet materiale të shkaktuara, mirëpo ju lusim që të gjitha rastet ti raportoni në qendrën e thirrjeve 112, në të njëjtën kohë ekipet tona janë në teren”.

Kryetari i Komunës ka bërë të ditur se për të gjitha familjet e evakuuara nga shtëpitë e tyre si pasojë e reshjeve “do t’ju sigurohet strehimi”.

“Në këto momente do të përqendrohemi në  ndërhyrjet urgjente për shkak se mund të këtë reshje prapë”.

Çka po ndodh?

Reshjet e shiut të premten kanë shkaktuar vërshime në rajonin e Gjakovës dhe atë të Rahovecit.

Bazuar në videot që janë publikuar në rrjetet sociale, lumi Erenik në Gjakovë ka dalë nga shtrati.

Gjendje jo e mirë, siç përshkruhet në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, është edhe në shtëpitë e rrugët e qytetit.

Në Gjakovë po raportohet se uji ka hyrë në shtëpitë e shumë banorëve.

Situata e njëjtë është edhe në rajonin e Rahovecit.

Rahovecit është përfshirë nga vërshime të mëdha, çka ka bërë që rrugët të jenë ta pakalueshme si nga veturat, ashtu edhe nga këmbësorët.

Ndërkohë, në fshatin Sopniq të Rahovecit, uji ka mbuluar rrugën. Edhe në disa fshatra të kësaj komune janë raportuar për vërshime.

Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që nga mbrëmja e së premtes.

Një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore