Sport

Usyk dhe Joshua flasin para meçit të së shtunës


Oleksandr Usyk është gati për “muskujt” dhe “mendësinë” e Anthony Joshua-s përpara ri-meçit të tyre të madh të peshave të rënda, ka thënë promotori i ukrainasit Alexander Krassyuk.

Ylli ukrainas mundi Joshua-n me vendim unanim për të fituar titujt e peshave të rënda në WBA, WBO dhe IBF në shtatorin e kaluar dhe ata do të përballen përsëri këtë të shtune, ndeshje kjo që ishte shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së Usyk-ut në luftën në Ukrainë.

Duke folur në stërvitjen për media, Joshua tha se ka mësuar nga humbja në ndeshjen e parë, andaj do të rikthehet për fitore.

Por, promotori i Usyk-ut, Krassyuk tha për “Sky Sports”: “Ai do të bëjë gjithçka që është e mundur, çfarëdo që të ketë, muskujt e tij, aftësitë e tij, mentaliteti i tij, shpirti i tij, ai mendon të vendosë gjithçka në ring, por Usyk është i gatshëm”.

“Nuk është sekret për të, ai do të bëjë atë që i thotë këndi i tij, thjesht do të luajë lojën e tij zgjuar, i shpejtë, me këmbë, me taktikë, ky është Usyk dhe prandaj e duam”, shtoi Krassyuk.

“Ai shkon në këtë ndeshje si kampion dhe për ta mbrojtur titullin, por ky nuk është i vetmi objektiv i tij, ai do të hyjë në histori”.

“Ai dëshiron të jetë kampioni i padiskutueshëm në dy divizione, ai dëshiron të jetë njeriu i parë në boksin e peshave të rënda i cili mbledh të katër rripat përfshirë WBO”.

“Kjo është ajo që ai dëshiron, është ajo për të cilën ai kujdeset. Ai nuk kujdeset për paratë, për famën, ai po e bën për vendin e tij me luftën që për fat të keq po ndodh atje”.

“Ai dëshiron që njerëzit në Ukrainë ta mbështesin dhe ata duan që ai të fitojë sepse Ukraina ka nevojë për fitore. Çfarëdo që të ndodhë të shtunën në mbrëmje, do të lavdërojë vendin e tij të lindjes”, tha mes tjerash Krassyuk.

Ndërsa Usyk tha se po e studionte rivalin e tij që nga Lojërat Olimpike në Londër të vitit 2012, atëherë kur Joshua doli kampion i peshave të rënda.

“Jam shumë i kënaqur që do të luftoj përsëri. Unë e kam parë atë për 10 vjet tashmë”, tha Usyk.

Ai pastaj u pyet edhe nëse e kishte të vështirë të përgatitej për shkak të luftës në vendin e tij dhe tha: “Po ishte e vështirë, por unë e bëra”.

Gjithashtu edhe Joshua pati një paraqitje të shkurtër, i cili tha se dëshiron një fitore shkatërruese të shtunën.

“Përvojat e mëparshme janë të mira, por më shumë ka të bëjë me atë që bëni atë natë”, tha Joshua për Sky Sports .

“Nuk e di sa do të më ndihmojë, por jam i përqendruar dhe jam gati ta kryej punën”.

“Ndihem sikur një nga pikat e mia më të forta është se jam i shpejtë, por në fund të fundit, përveç gjitha mësimeve kjo është një luftë”.

Joshua më pas u pyet se kushdo që godet më shumë grushte do të fitojë dhe kjo është gjithçka që do të ketë rëndësi.

“Do të bëj më të mirën, thjesht po bëj më të mirën dhe kjo është gjithçka që mund të bëj”.

“Po shkojmë me nokaut”, tha Joshua duke u larguar nga intervista.

Kujtojmë që ndeshja e shumëpritur mes Usyk-ut dhe Joshua-s do të zhvillohet në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në “King Abdullah Sports City Arena” – Arabia Saudite.

Ndeshjet e asaj nate do të fillojnë rreth orës 23:00 të datës 20 gusht (me kohën tonë lokale), por meçi kryesor do të jetë rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore